Qeveria vendosi të rikthejë koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar. Në studion e lajmeve të MCN TV, gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, tha se elementi më i rëndësishëm i kontratës është ajo çfarë ka marrë përsipër qeveria në raport me kompaninë që do të ndërtojë rrugën.
Ishte një kontratë e miratuar nga ministria e infrastrukturës, në formën e partneritetit publik-privat. Pra privati do të ndërtonte rrugën dhe qeveria do ta shlyente me këste. U pezullua si koncesion duke u justifikuar me faktin se paratë do të shkonin me paktin për universitetin. Kompania e ankimoi në gjykatë, kjo e urdhëroi ministrinë të vazhdojë procedurat. Sot kemi ardhur në miratimin e kësaj kontrate që vjen në një formë tjetër. Shteti nuk merr përsipër asnjë pagesë. E gjitha ndërtohet nga kompania dhe rruga do të funksionojë me tarifë. Mbetet për t’u parë a ka marrë shteti përsipër garanci trafiku në këtë koncesion. Deri tani vendimi i qeverisë nuk është publikuar.
Sipas Tomorrit, vlera e rrugës pritet të jetë rreth 200 milionë euro, ndërsa tarifa e përdorimit të saj 2 euro.
Kjo është një kontratë që ka pasur disa kosto. Fillimisht u fol për shifra deri në 300-400 milionë euro. Tashmë flitet për një vlerë më të vogël, diku te 200 milionë euro. Flitet për tarifë 2 euro. Por duhet të presim a ka marrë përsipër shteti të garantojë trafikun. Nëse po, do të thotë që risku është përgjysmë.
Rasti tregon, sipas Tomorrit, se po shkohet drejt rrugëve me pagesë, çka e bën të domosdoshme heqjen e taksës së qarkullimit.
Është e qartë që Shqipëria po shkon drejt ofrimit të rrugëve me pagesë. Nëse shkojmë te ky model, qeveria duhet të heqë taksën e qarkullimit. Nuk ka kuptim që të paguash në rrugë për rrugën, dhe të paguash edhe te karburanti taksën.



