Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkës me një postim në rrjetin social “Facebook” të shoqëruar me një foto vezësh pashke. Ai ia ka kushtuar urimin e tij veçanërisht atyre që janë të sëmurë e në nevojë dhe atyre që përkujdesen për të tjerët: personelit shëndetësor, punonjësve të policisë, forcave të armatosura, klerikëve dhe shërbëtorëve të Zotit e tj.
“Të dashur motra dhe vëllezër që kremtoni këtë ditë të shenjtë të Pashkës dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra, për shumë vjet Pashkët!
Një urim dhe lutje të veçantë kam sot për ata që po përballen me sëmundjen, për personelin shëndetësor, për punonjësit e policisë, të forcave të armatosura, për klerikët dhe shërbëtorët e Zotit, për prindërit dhe vogëlushët në familjet në nevojë, për të moshuarit, për të sëmurët e më të pamundurit.
Në këto kohë të vështira, drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin.
Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!”, është shprehur kryedemokrati Basha.



