
Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Klodian Braho, ka raportuar në Komisionin për ‘Nismat Qytetare’ mbi rezultatet e punës së institucionit gjatë vitit 2025, ku një pjesë e rëndësishme e diskutimit u përqendrua te hetimi i krimit zgjedhor, standardet e ndjekura nga SPAK dhe çështjet që kanë përfshirë figura politike.
I pyetur nga deputeti Ivi Kaso lidhur me hetimet për krimin zgjedhor dhe akuzat për një trajtim të pabarabartë të rasteve të ndryshme, Braho u shpreh se ky fenomen mbetet shqetësues dhe se Prokuroria e Posaçme nuk bazohet te perceptimet publike, por te provat dhe materialet hetimore që ndodhen në dosje.
Sa i përket krimit zgjedhor, ne bëmë edhe parashtrimet tona për shifrat që disponojmë. Krimi zgjedhor është fenomen shqetësues dhe na shqetëson si prokurori. Nuk është një fenomen me të cilin ne pajtohemi. Nuk shoh ndonjë standard të dyfishtë nga SPAK për çështjet zgjedhore, por është një perceptim. Ne nuk nisemi nga perceptimet, por nga faktet që përmbajnë dosjet.
Gjatë raportimit, kreu i SPAK u pyet edhe për mundësinë e nisjes së hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama apo thirrjen e tij si person në dijeni për çështjen e njohur si “Albanian Files”, si dhe për çështje të tjera ku është përmendur emri i tij.
Braho shmangu komentet konkrete për raste të veçanta, duke theksuar se çdo procedurë hetimore duhet të mbështetet në prova dhe se asnjë individ nuk mund të konsiderohet i paprekshëm përpara ligjit.
Nuk kam asnjë koment. Nëse dikush ka prova, është i ftuar t’i depozitojë dhe të marrë përgjigje ligjore sipas ligjit. Asnjë person nuk është imun ndaj SPAK. Këtë e them me bindje. Kushti është nevoja hetimore dhe prova për kryerjen e një vepre penale”, deklaroi kreu i SPAK.
Ndërkohë, lidhur me politikanët që janë përmendur në takimin në Aruba, Braho bëri të ditur se çështja vijon të jetë nën hetim dhe se institucioni që ai drejton nuk mund të mos reagojë në rast se disponon prova për veprime të mundshme penale.
Është çështje në hetim, por nuk mund të ndodhë në SPAK që të ketë një provë dhe ajo të lihet aty në gjumë dhe të mos reagohet.



