Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe ai i Mbrojtjes Niko Peleshi dolën në një konferencë për media lidhur me incidentin e Gramshit, ku ka nisur një hetim ndaj dy rusëve dhe një ukrainasi që sulmuan me lëndë djegëse ushtarët në uzinën e armëve.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi deklaroi se ngjarja e Gramshit mund të ketë pasur synim për të devijuar vëmendjen nga një tjetër skenar.
Kemi të bëjmë me një grup të huajsh të cilët as nuk kanë tentuar ta vizitojnë atë zonë ushtarake me leje sipas procedurës. Ngjarja e Gramshit po trajtohet me shumë seriozitet. Mund të jetë një ngjarje që nuk na shqetëson shumë se çfarë kanë fotografuar, por mund të ketë qëllim për një skenar tjetër. Jetojmë në një rajon delikat. Jo të gjitha shtetet kanë të njëjtën axhendë. Nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
Mos harrojmë që para pak javësh u përballëm me një sulm kibernetik.
Ndërkaq, Çuçi tha se ngjarja s’është mbivlerësuar apo nënvlerësuar dhe detajet mbi hetimin do të dalin në ditët në vijim.
Në lidhje me hetimin, për rastin e Gramshit ka një hetim që ka filluar. Kemi një procedim dhe një akuzë nga Prokuroria e Elbasanit. Është një ngjarje që as e kemi mbivlerësuar apo nënvlerësuar, po e hetojmë me gjithë faktet dhe rrethanat. Pavarësisht se objekti është i deklasifikuar, për nga rrethanat si kanë tentuar të hyjnë, pajisjet që kishin me vete dhe agresionit që kanë ushtruar, këta persona janë marrë nën hetim. Çdo të thënë tjetër për këto persona t’ia lëmë hetimit. Gjatë ditëve në vijim do komunikojmë me publikun për të dhënë gjithë panoramën e situatës, nga pikëpamja e qëllimit dhe atë që përfaqësojnë këta persona. Ka sot në botë shumë turistë aventurierë që e kanë qëllim këtë lloj turizmi për të fotografuar objekte me karakter të veçantë. Ne e dimë shumë mirë këtë gjë, prandaj do hetojmë deri në fund, që të sqarojmë çdo pozicion të gjithkujt në këtë ngjarje. S’ka vend për spekulime. Besoj se e kemi në kontroll të plotë këtë gjë dhe përfundimi i hetimeve do tregojë se me çfarë kemi të bëjmë”.



