
Lëvizja Vetëvendosje i ka kthyer letrën me propozimin për kryeministër ushtruesit të detyrës së Presidentit, Glauk Konjufca ndërkaq është konfirmuar se sot do të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryeministrit.
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka kërkuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër.
Në njoftim thuhet se u.d. Presidenti i Kosovës, Glauk Konjuca, duke u mbështetur në nenet 84 (14) dhe 95 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nëpërmjet një letre drejtuar kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, z.Albin Kurti ka kërkuar që ky subjekt fitues i zgjedhjeve të 14 shkurtit ta propozoj mandatarin për Kryeministër.
Në letër, u.d. Presidenti Konjufca, duke iu referuar dispozitave kushtetuese dhe njoftimit të KQZ-së për certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit, ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për ta krijuar Qeverinë e re.
Ndryshe, sot gjatë orëve të paradites është mbajtur seanca konstituive. Glauk Konjufca është zgjedhur kryetar i Kuvendit, ndërsa gjatë ditës Vjosa Osmani ia dorëzoi edhe pozitën e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës.
Konjufca do të mund ta mbajë detyrën si u.d. i presidentit më së largti deri në muajin maj. Nëse pas kësaj kohe nëse nuk zgjidhet presidenti i ri, vendi shkon në zgjedhje.



