
Historiani Paskal Milo në studion e lajmeve të MCN TV zbuloi një fakt interesant në lidhje me vizitën e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Tiranë. Milo tha se data 17 janar e vizitës së Erdogan në Shqipëri përkon me ditën e vdekjes së prijësit shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, që udhëhoqi luftën kundër Perandorisë Osmane.
Vizita e Erdogan në Shqipëri vjen në ditën që ka vdekur Skëndërbeu. Nuk e di nëse kjo ka një lidhje, apo është rastësi.
Lidhur me shtrirjen e aktiviteteve e turke në Shqipëri, Milo tha se Turqia është një fuqi rajonale dhe për të është e rëndësishme që të ushtrojë aktivitetin e saj në Ballkanin Perëndimor, por duke qëndruar brenda marrëveshjeve me NATO dhe SHBA.
“Turqia është një fuqi rajonale që ka pretendime të mëdha dhe mbështetur në traditën historike të Turqisë, patjetër që ndan me shqiptarët dhe popullsi të tjera një histori të përbashkët. Si e tillë BP ka një rëndësi për Turqinë për gjeopolitikën rajonale. Ajo e sheh Ballkanin si një sferë ku mund të ushtrojë aktivitetin e vet. Çështjet e karakterit strategjik janë, por duhet të mos dalin jashtë marrëdhënieve me NATO dhe SHBA”, tha Milo.
Ndërkohë gazetari shqiptar me bazë në Turqi, Abdylvehap Ejupi konfirmoi për MCN vizitën e presidentit turk në Shqipëri më datë 17 janar. Ejupi tha se sipas tij temë diskutimi mes dy liderëve, Erdogan dhe Rama, do të jetë dhe vaksina turke e miratuar disa ditë më parë.
“Po, Erdogan do të jetë në Shqipëri më 17 janar.
Çdo herë problemu i FETO është e vazhdueshëm, por nuk mund të ndikojë në marrëdhënien mes dy vendeve. Do të diskutohet dhe vaksina Turkovac dhe Shqipëria mund të jetë e para që të marrë atë, falas.”, u shpreh Ejupi.
Ndërkohë historiani Milo lidhur me marrëveshjen e mundshme mes Shqipërisë dhe Britanisë për deportim të emigrantëve që mbërrijnë te kjo e fundit, në vendin tonë, tha se duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Sipas tij Shqipëria nuk duhet të kthehet në një depozitë të komuniteteve, pasi mund të krijojë probleme për sigurinë e vendit.
“Gjithnjë jam i mendimit që në marrëdhëniet me aleatët duhet të ketë respekt të ndërsjelltë, qofshin të mëdhenj apo të vegjël. Duke qenë në aleancë me NATO që Shqipëria është ka një ..marrëveshja e mundshme me Britaninë duhet të varet se kush janë, nga vijnë dhe pse vijnë.
Për iranianët që erdhën në Shqipëri ishte një arsye madhore. Por ne duhet të jemi të kujdesshëm mos të bëhemi shportë rezervë për të bërë Shqipërinë një vend të vogël si depozitë të komuniteteve pasi mund të krijojnë probleme të sigurisë për Shqipërinë, por mund të krijojnë diferenca të tilla kulturore në vend.
Në marrëdhëniet me Francën Shqipëria është një vend i preferuar, dhe Franca e mban shënim këtë që Shqipëria është një vend frankofon”, përfundoi Milo.



