
Kreu i socialistëve të Serbisë paralajmëron një valë ndryshimesh në qeveri dhe në parti. Ivica Daçiç, i cili mban postin e ministrit të Jashtëm, ka thënë për mediat serbe se do të ketë ndryshime serioze që nuk do të kursejnë as drejtuesit e lartë në kabinetin qeverisës.
"Po përgatis një perestrojkë* të vërtetë. Nuk do të ketë falje dhe justifikime. Do të skanohen ministrat, deputetët dhe zyrtarët e parties. Disa mendojnë se ia kanë hedhur pasi kanë marrë një post të caktuar”, përfundoi Daçiç.
Lidhur me këtë të fundit, në një intervistë për "Srpski Telegraf", Daçiç tha se kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin e ministrave dhe zyrtarëve të lartë të shtetit që, pavarësisht se janë zgjedhur për t’u përmirësuar jetën e serbëve, gëzojnë privilegjet që u jep posti.
*Perestrojka është lëvizje politike brenda Partisë Komuniste në ish-Bashkimin Sovjetik në fund të viteve ‘80. Termi nga rusishtja i përgjigjet fjalës reformim (ristrukturim) në shqip dhe asociohet me liderin e BS-së, Mihail Gorbaçov, dhe politikën reformuese të glasnostit (nga rusishtja: hapje). Perestrojka është parë si një nga shkaqet themelore të revolucionit të ’89-s që përfoundoi me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe fundin e Luftës së Ftohtë.



