
Britania e Madhe ka filluar një studim për të verifikuar efektivitetin e imunizimit ndaj Covid 19, duke përdorur dy vaksina të ndryshme në vend të vetëm një, siç është aktualisht rasti për dozën e parë dhe përforcuesin e saj.
Sipas raporteve nga BBC, studimi ‘Com-Cov’, menaxhohet nga Konsorciumi Kombëtar i Vlerësimit të Programit të Imunizimit dhe përfshin mbi 800 vullnetarë në Angli mbi moshën 50 vjeç.
Në rast të rezultateve pozitive, do të arrihej një fleksibilitet më i madh në fushatën e vaksinimit, duke e përballuar më me qetësi një ndërprerje të mundshme të furnizimit me flakonë.
Për më tepër, sipas disa shkencëtarëve, është gjithashtu e mundur që kjo qasje të sigurojë mbrojtje më të madhe kundër koronavirusit, sesa përdorimi i një vaksine të vetme.
Disa nga vullnetarët, do të marrin një dozë të parë të vaksinës "Oxford-AstraZeneca", të ndjekur – pas 4 ose 12 javësh – nga një dozë e vaksinës "Pfizer-BioNTech" ose anasjellas.
Studimi do të zgjasë 13 muaj, por rezultatet e para mund të shpallen në qershorin e këtij viti. Ndërkohë, fushata e vaksinimit në Mbretërinë e Bashkuar, normalisht do të vazhdojë me një vaksinë të vetme për person.



