
Prej mesnatës, qarku i Gjirokastrës është përfshirë nga reshje të dendura shiu dhe erëra të forta, të cilat kanë shkaktuar probleme në disa zona të jugut të vendit.
Sipas raportimit për' MCN Live' nga korrespondentja në Gjirokastër, Jonida Qirko, si pasojë e stuhisë janë regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike dhe probleme me shërbimet e telefonisë dhe internetit në disa njësi administrative të Gjirokastrës, Dropullit dhe Memaliajt.
Që prej orëve të para të mëngjesit, stuhia ka qenë e fuqishme, me erëra që kanë arritur deri në 60 km/h. Disa zona rurale kanë mbetur pa energji për më shumë se katër orë, ndërsa janë raportuar edhe ndërprerje të përkohshme të komunikimeve telefonike dhe internetit.
Reshjet intensive gjatë mesnatës kanë shkaktuar vërshime uji në rrugët e qytetit, duke sjellë vështirësi në qarkullim dhe dëme të vogla materiale në disa biznese.
Autoritetet vendore janë në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në rastet problematike.Ndërkohë, sipas sinoptikanëve, reshjet pritet të vijojnë edhe gjatë orëve në vijim, por me intensitet në ulje.



