
Radhë një kilometër e gjysmë për një vend pune. Në fakt, nuk është fjala për intervista, por thjesht për të dorëzuar një CV në letër. Një hotel luksi në Madrid, në Plaza de Espana, ka hapur konkursin për 100 vende pune.
Por punëkërkuesve u është dashur të paraqiten personalisht për ta dorëzuar CV-në. Shtatë mijë njerëz janë vënë në radhë për orë të tëra, pavarësisht se CV-ja mund të dërgohej fare thjesht me e-mail.
Rasti ka shkaktuar polemika në Spanjë dhe në rrjetet sociale. Disa dyshojnë se kjo ka qenë një strategji e hotelit për t’i bërë vetes reklamë në kurriz të të papunëve dhe atyre që kërkojnë një shans më të mirë.
“E bëjnë vetëm për të tërhequr vëmendjen, është çnjerëzore”, u kanë thënë disa prej aplikuesve mediave spanjolle.



