Kandidati për Tiranën i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qorui në studion e ‘Të Pa ekspozuarit’ në MCN TV deklaroi se mosregjistrimi i tyre si parti po bëhet e qëllimshme. Ai tha se gjykata jo vetëm që nuk ka respektuar afatet, por dhe se nuk u kanë kthyer asnjë përgjigje. Sipas tij, e gjithë kjo i intereson kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.
Në datën 9 janar kemi dorëzuar të gjithë dokumentacionin me 3500 firma. u regjistrua kërkesa jonë, u morën të gjitha firmat nga gjykata dhe sipas nenit 13 i vendosen kufij gjykatës që afati maksimal është 30 ditë nga dorëzimi i dokumenteve. Nëse kërkon plotësim dokumentacioni 20 ditë, por gjykata se respektoi fare. Gjykata jo vetëm që ka shkelur ligjin me afatet, por ajo që ata kërkojnë është që ne të mos marrim pjesë në zgjedhje. Për ironi gjykata dhe gjykatësi na ka dhënë vetëm një përgjigje që unë jam gjykatësi, i di unë këto punë dhe s’mund të më tregosh ti mua ligjet.
Unë nuk besoj se zoti Zhukri nuk ka ndonjë inat me mua, sepse s’më ka lidhur ndonjë gjë me të, prandaj dyshoj se ai nuk është me vullnetin e tij aty por me vullnetin e atyre që janë të interesuar që lëvizja ‘Bashkë’ të mos regjistrohet. Mendoj se kjo i intereson kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj, sepse besoj se PD është duke u marrë me problemet e veta. Nuk ka ndodhur kurrë në Shqipëri të jetë penguar një parti të regjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhje dhe mbi të gjitha na mungon një përgjigje.



