
Si është të kesh pikturën jo vetëm si pasion, por edhe si profesion?
Cilat janë sfidat me të cilat përballen piktorët e rinj dhe çfarë ofron tregu i artit në Shqipëri si sistem?
Këto tema i ndajnë me shikuesit e “MCN Informacion” piktorja Mirjana Madhi, piktorët dhe fotografët Laurin Sana dhe Kevi Terezi, si edhe piktorja Jona Kuçaj.
Mirjana Madhi
E kam nisur pikturën shumë herët, pasi kam provuar disa zhanre të ndryshme dhe që atëherë nuk jam ndarë më prej saj. Megjithatë, për ta ushtruar pikturën si profesion më janë dashur shumë vite dhe kjo ka ndodhur rastësisht.
Gjatë një kolonie piktorësh në jug të Italisë, një ambasador bleu disa nga pikturat që kisha ekspozuar aty.
Aktualisht punoj në një institucion dhe ndjek më së shumti stilin akademik. Tablotë e mia pëlqehen shumë, pasi për mua arti është filozofi, por njëkohësisht kërkon teknikë dhe akademizëm.
Në thelb të punës sime qëndron njohja e antinomisë së trupit dhe njeriut.
Jona Kuçaj
Pikturën e kam nisur që e vogël. Më ka shtyrë babai, ndërsa mami ishte disi kundër, por dëshira ime ishte shumë e fortë për ta vazhduar, qoftë në Lice apo në Akademinë e Arteve. Piktura mbetet një nga pasionet e mia më të mëdha, sa herë dua të qetësohem, i kthehem pikturës.
Edhe mua më pëlqen stili akademik, por kërkon një punë kolosale. Unë jam më e lidhur me ngjyrat, fokusi im janë ngjyrat dhe jam më shumë abstrakte.
Mendoj se ende mungon njohuria për artin në shoqëri, shpesh arti shihet thjesht si diçka e bukur, por jo të gjithë kanë interes ta njohin më thellë.
Sot, për të jetuar nga piktura në Shqipëri, shpesh detyrohesh të realizosh portrete fëmijësh, pasi arti është kthyer në një formë komercializmi.
Kevi Terezi
Unë e kam gjetur më vonë rrugën drejt pikturës, pas disa luhatjeve dhe kalimeve në degë të ndryshme. Është e vështirë të jetosh vetëm nga piktura në Shqipëri.
Gjëja kryesore është edukimi që nis që nga struktura bazë, pasi arti është ai që edukon masën.
Duhet të kemi kritikë arti dhe një degë të mirëfilltë që studion kritikën e artit. Aktualisht mungojnë studiuesit që merren vetëm me këtë pjesë.
Duhet të ketë komisione apo grupe të specializuara që bëjnë vlerësime, si edhe galeri që të menaxhohen nga artistë me përvojë dhe të marrin përsipër shitjen e punëve, në mënyrë që artistët e rinj të kenë mundësi promovimi.
Laurin Sana
Jam mes pikturës dhe fotografisë. Fillimet e mia i kam pasur që në moshën 9-vjeçare. Më pas, në gjimnaz u përballa me sfida të mëdha, edhe me familjen, e cila ishte kundër që ta ndiqja pikturën për arsye sigurie dhe financiare.
Megjithatë, këmbëngulja ime më çoi drejt kursit të fotografisë dhe sot jam artist i lirë.
Duhet të krijohen institucione që mbështesin artistët dhe të ndërtohen hapësira për artin, në mënyrë që ai të kultivohet edhe si kulturë në shoqëri.



