Partia Demokratike akuzoi sot Agjencinë Kombëtare të Mjedisit se ka shkelur brutalisht ligjet dhe konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit përgjatë 3 viteve te fundit. Në një deklaratë për mediat në mesditë, kreu i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi, tha se agjencia që “sipas Ramës do të na mbrojë nga mbetjet e rrezikshme” shkel vetë ligjin.
Sipas Malltezit, shkeljet janë pasqyruar në një raport të Shoqatës së Gazetarëve për Drejtësi, i cili ka vlerësuar lejet mjedisore të dhëna për ndërtim HEC-esh nga janari 2014 deri në qershor 2016, ku është zbuluar se për 38 HEC-e (nga 43 në total), miratimi është dhënë pa kryer fare vlerësimin e ndikimit në mjedis të tyre.
“Të dhënat që mungojnë përfshijnë gjatësinë e lejuar e devijimit të lumit, ndërkohë që asnjëri nuk përmban kushtet për masat që duhen marrë për mbrojtjen e habitateve dhe llojeve biologjike që do ndikohen nga projekti i miratuar. Aleanca e Plehrave jep leje mjedisore pa proces të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis për HEC-e, që cenojnë qindra hektarë dhe ndryshojnë rrjedhën ujore për dhjetëra km (përfshi HEC-e në Valbonë, Librazhd dhe Korçë).



