Pas një seance maratonë të zgjatur për tetë orë në Gjykatën e Fierit lidhur me aksionin e zhvilluar në kompaninë “Bankers Petroleum” më 5 korrik, u vendos “arrest me burg” për dy drejtuesit e kompanisë, “detyrim paraqitje” për 5 punonjës dhe për dy financierët arrest shtëpie.
Në sallën e gjyqit të akuzuarit janë shprehur se jemi të pafajshëm, duke mos pranuar asnjë nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Fierit, për evazion fiskal apo të shpërdorimit të detyrës.
Në burg do të qëndrojë CEO kinez i kompanisë Hong Ping Xiao dhe ish-drejtori Leonidha Çobo.
Aksioni në “Bankers Petroleum”, erdhi pasi kompania, e cila prej më shumë se 20 vitesh nxjerr naftë në Patos-Marinzë, sipas prokurorisë së Fierit ka shmangur gjatë gjithë ekzistencës së saj taksat në vend.
“Bankers Petroleum” krijoi skema mashtrimi për të fshehur të ardhurat, duke deklaruar 20 vite rresht se dilte me humbje, në total 11.7 miliardë lekë, ndërsa gjatë kësaj kohe eksportoi apo shiti 532 miliardë lekë naftë.
Në këtë mënyrë për 20 vite ka shmangur detyrimet tatime, madje përfitonte dhe rimbursim TVSH-je.



