
Një kompani private e inteligjencës dyshohet se është bërë pjesë e fushatës së kryeministrit Viktor Orban në Hungari, me qëllim diskreditimin e OJQ-ve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në vend. Kompania “Black Cube”, sipas një ish-punonjësi të saj dhe një personi që ka dijeni mbi mënyrën se si operon ajo, është angazhuar në funksione të fushatës së Orbanit në prill.
Në periudhën mes dhjetorit 2017 dhe marsit 2018, OJQ hungareze dhe individë me lidhje me biznesmenin amerikano-hungarez Xhorxh Soros janë kontaktuar nga agjentë me identitet të rremë dhe komunikimi mes tyre është regjistruar.
Këto regjistrime nisën të shfaqeshin fillimisht në “Jerusalem Post” dhe në gazetën e kontrolluar nga qeveria hungareze Magyar Idők, tre javë para zgjedhjeve, raporton “Politico.eu”.
Ato u përdorën nga kryeministri Viktor Orban për të sulmuar organizatat e shoqërisë civile sidomos në 3 ditët e fundit të fushatës. Partia e Orban, Fidesz, i fitoi zgjedhjet.
“Black Cube” është një kompani me bazë në Tel Aviv dhe është përmendur disa herë për skandale në SHBA dhe Europë. Por fushata hungareze përbën angazhimin e saj të parë të në një fushatë zgjedhjesh.
“Politikat që ndjek kompania parashikojnë që ne të mos flasim për klientët me palë të treta dhe as të mohojmë apo konfirmojmë spekulimet që bëhen në lidhje me punën tonë. Por më e rëndësishmja është se “Black Cube” operon gjithnjë në përputhje me ligjin në çdo vend ku zhvillon punën e saj dhe merr konsulencën ligjore të firmave më të mira botërore në këtë fushë”, i ka thënë “Politico”-s zëdhënësi i “Black Cube”.
Dy personat që kanë lidhje me kompaninë izraelite, të cilët kanë kërkuar ruajtjen e anonimatit, thanë se nuk e dinë se kush ka paguar për shërbimet e “Black Cube” dhe nëse qeveria hungareze ishte direct e përfshirë. I kontaktuar në lidhje me këtë fakt, një zëdhënës i qeverisë “Orban” nuk pranoi të komentonte.
Personat që takuan dhe regjistruan komunikimin me zyrtarë të OJQ-ve në Hungari kanë pasur theks europian dhe arab, por të paktën dy prej tyre kanë folur me theks të dallueshëm izraelit.
Takimet e punonjësve të “Black Cube” me zyrtarë të OJQ-ve hungareze janë zhvilluar në Budapest, Vjenë, Amsterdam, Londër dhe Nju Jork.
Kompanitë që ata pretendonin se përfaqësonin u provua më vone se nuk ekzistonin. Llogaritë në rrjetin profesional “LinkedIn” dhe faqet e internetit që ata kishin paraqitur u fshinë menjëherë pas takimeve. Shumica e numrave të telefonit të përdorur prej tyre rezultuan të çaktivizuar pak javë pas takimeve.



