
Aktorja e serialit të famshëm të viteve ’90, “Baywatch”, Pamela Anderson, është përfshirë në një debat virtual me ministrin e Brendshëm të Italisë, Matteo Salvini. Anderson ka postuar në Tuiter një status, në të cilin shpreh shqetësim për klimën politike në Itali, që sipas saj të kujton vitet ’30. Anderson shkruan se mundësia e vetme për t’i dalë përpara një krize të mundshme ekonomike dhe sociale është një rizgjim paneuropian, që arrin të shkojë përtej kufijve dhe kombësive.
"Italia është një vend i mrekullueshëm, që unë dua shumë, për shumë arsye, që nga ushqimi te moda, nga arti te historia, por jam shumë i shqetësuar nga klima e tanishme, e cila më kujton vitet '30", shkruan ajo. "Frika dhe pasiguria në të gjitha segmentet e shoqërisë, sulmet e përditshme ndaj refugjatëve dhe emigrantëve, përkeqësimi i krizës ekonomike ...", argumenton ajo më tej.
Aktorja komenton zhvillimet politike që kanë të bëjnë me Italinë, por edhe me Francën.
"Salvini kohët e fundit tha se "Macron është problem për francezët", që do të thotë se ajo që po ndodh në Francë këto ditë, protesta e “jelekëve të verdhë”, është diçka që ka të bëjë vetëm me francezët, gjë që është e gabuar". E gabuar sepse ne duhet të arsyetojmë në një perspektivë të përbashkët. Ajo që po ndodh në Francë këto ditë është një problem evropian", shkruan Anderson, "në të njëjtën mënyrë si edhe masat kundër emigrantëve dhe rrëshqitja drejt një forme të re të fashizmit në Itali janë probleme evropiane".
Kështu që, sipas Anderson, përgjigja mund të jetë vetëm evropiane. "Zgjidhja nuk është më Macron ose Salvini, të cilët kanë nevojë për njëri-tjetrin dhe përforcojnë njëri-tjetrin. Zgjidhja mund të jetë vetëm një zgjim pan-evropian që kalon kufijtë dhe kombësitë, i aftë për t'u përballur me krizën e thellë ekonomike, sociale dhe ekologjike të Evropës sot".
Kundërpërgjigjja e Salvinit është ironike. “Salvini nuk është zgjidhja, tendencat aktuale në Itali më kujtojnë vitet ’30? (ikonë habie) Sa keq, me dhimbje si spektator i afeksionuar pas saj në “Baywatch”, ju them se këtë të shtunë, ajo (Anderson) nuk do të jetë në Romë”, përgjigjet ai në Tuiter duke iu referuar një manifestimi të parashikuar për në datën 8 dhjetor.
Kohët e fundit, aktorja, e cila në të kaluarën ka qenë romantikisht e lidhur me Julian Assange, ka ndërhyrë në politikën evropiane duke komentuar protestën e francezëve. Anderson njihet si aktiviste e çështjeve mjedisore dhe e mbrojtjes së kafshëve.



