
Gazetari Xhevair Zhabina deklaroi në studion e MCN Live se grupet kriminale i përdorin gjimnazet për të rekrutuar shpërndarësit e rinj. Duke vijuar më tej me shpjegimin e tij, Zhabina tha se fillimisht ata i joshin nxënësit me një cigare hashash, të cilët ja japin falas dhe më pas ata rekrutohen duke qenë se nuk kanë mundësi t’i blejnë lëndët narkotike.
Si shfrytëzohen nxënësit e gjimnazeve nga grupet kriminale? Nga hetimet që ka ndjekur Policia e Tiranës rezulton se grupet kriminale, gjimnazet i përdorin për të rekrutuar ata që quhen shpërndarës, të rinj që janë dhe përdorues të këtyre drogave të lehta dhe që fillimisht e marrin falas. Më pas nuk kanë mundësi ta paguajnë, rekrutohen dhe përdoren për të shitur droga të rënda në Bllok, Brryl ku aktiviteti i lokaleve të natës është i madh.
Përdoren këta të rinj që rekrutohen në dyert e shkollave duke i dhënë një dozë kanabisi në fillim. Në fillim këta përdorin hashashin.
Kujtoj që Tahiri kishte një plan për sigurinë në shkolla. Xhafaj e kishte, Lleshaj po ashtu, dhe Balla ka po ashtu. Thua për çdo ministër duhet të kemi një plan të ri, ndërkohë që plani duhet të jetë i njëtrajtshëm. Siguria në shkolla nuk është trajtuar siç duhet, ka nevojë për një strategji të re, por që të jetë e zbatueshme.
Gjimnazet përdoren për të rekrutuar shpërndarësit.
Më tej Zhabina tha se përdorimi i drogës sintetike ka ardhur në rritje.
Përdorimi i drogës sintetike ka ardhur në rritje. Në 2012-2013 kur kam nisur të merrem me kronikë, raportonim shumë pak për kapjen e drogave sintetike, 200-300-500 gramë. Në 2022 janë kapur 5 kg drogë sintetike. Kjo tregon që për 10 vite ka ndryshuar situata. Këto lloje drogash janë prezente. Ky fakt mjafton për të treguar çfarë tregu kanë drogat sintetike, përdoruesit janë të rinj, dhe përdorin në party-t private por dhe në ambiente të ndryshme në kryeqytet.



