Dymbëdhjetë persona mbetën të plagosur kur një aeroplan i Qatar Airways i cili fluturonte nga Doha në Dublin u godit nga turbulencat, thanë autoritetet e aeroportit.
Aeroporti i Dublinit njoftoi në një deklaratë se avioni u ul në mënyrë të sigurt siç ishte planifikuar para orës 13:00 të dielën.
“Pas uljes, avioni u prit nga shërbimet e urgjencës, përfshirë policinë e aeroportit dhe departamentin e zjarrfikësve dhe shpëtimit, për shkak të gjashtë pasagjerëve dhe gjashtë personave të ekuipazhit të cilët raportuan lëndime pasi avioni përjetoi turbulenca ndërsa fluturonte mbi Turqi”, thuhet në deklaratë.

Aeroporti nuk dha detaje mbi gradën e lëndimeve. Kjo ngjarje vjen pesë ditë pasi një britanik humbi jetën nga një atak i dyshuar në zemër dhe dhjetëra persona u plagosën kur një fluturim i Singapore Airlines nga Londra hasi turbulenca të rënda.



