Mjeku psikiatër: Përvoja ime me pacientët me Covid-19 dhe faktorët që nxisin vetëvrasjen  

Mjeku psikiatër: Përvoja ime me pacientët me Covid-19 dhe faktorët që nxisin vetëvrasjen  

Katër pacientë me Covid-19 i kanë dhënë fund jetës përgjatë javëve të fundit në Tiranë, duke u hedhur nga lartësia në spitalet ku po merrnin trajtimin mjekësor. Mjeku psikiatër, Naim Fanaj, thotë se vendimi për t’i dhënë fund jetës mund të ketë ardhur si pasojë e disa faktorëve që nisin që nga stresi që gjeneron situata pandemike, përballja me sëmundjen e deri te efektet anësore të disa medikamenteve në shëndetin mendor. Në një intervistë për TvT.al, Fanaj, i cili drejton Qendrën e Shëndetit Mendor në Prizren, thotë se ka hasur përjetime delirante te pacientët me Covid-19. Ndërsa lidhur me raportimin në media të situatës së pandemisë, Fanaj ka rezerva. Autori i një studimi mbi vetëvrasjet dhe rolin e medias në Shqipëri dhe Kosovë, Fanaj thotë se raportimi jokorrekt dhe shpesh sensacional ka sjellë stres dhe pasiguri, sidomos te moshat e reja, te të cilët verifikohen nivele më të larta të ankthit, duke qenë se e përdorin internetin si mjet informimi më shumë se të tjerët.  

Z.Fanaj, përgjatë tre muajve të fundit, në Shqipëri kanë qenë disa rastet e vetëvrasjes së pacientëve me Covid. Duke pasur parasysh që të gjitha kanë ndodhur në spitalet ku merrnin trajtimin, cilat shihni si shkaqet që mund të kenë ndikuar?

Vetëvrasja është një fenomen kompleks, i cili vështirë mund të lidhet me një shkak të vetëm. Nga ajo që dihet nga shkenca, depresioni është ndër shkaqet dominante. Rrjedhimisht, edhe situata pandemike që po kalojmë, përfshirë ankthin dhe frikën nga e ardhmja, vështirësitë financiare, përballjen me situatën e rënduar shëndetësore, munden që ta dëmtojnë kapacitetin mendor të një personi dhe ta lehtësojë procesin e vendimmarrjes për t’i dhënë fund jetës.

A kanë efekte në shëndetin mendor medikamentet me të cilat trajtohen të sëmurët me Covid-19?

Mjekimi i të sëmurëve me Covid-19 në më të shumtën e rasteve është duke u bërë me medikamente simptomatike ose ndërhyrje mjekësore mbështetëse. Nuk ka ndonjë medikament specifik për këtë gjendje. Medikamente të tilla kanë efekte të caktuara në shëndetin mendor, siç edhe ndodh me mjekimin e zakonshëm të gjendjeve të caktuara mjekësore, d.m.th. edhe jashtë infektimit me Covid-19.

Disa studime e kanë lidhur infeksionin Covid-19 me çrregullimet mendore. A mendoni se është i domosdoshëm një vlerësim psikologjik për secilin pacient që merr shërbim spitalor?

Në shtyp ishte një studim i Oxfordit që thoshte se njerëzit me diagnozë paraekzistuese të shëndetit mendor kishin 65% më shumë gjasa të diagnostikohen me Covid-19, sesa ata pa një të tillë dhe se të paturit e një çrregullimi psikiatrik duhet të shtohet në listën e faktorëve të rrezikut nga Covid-19. Mirëpo autorët, megjithatë, rekomandonin hulumtim të mëtejshëm për t’i vërtetuar këto gjetje. Mendoj se vlerësimi i gjendjes psikologjike/mendore në çdo rast të hospitalizimit, edhe jashtë të qenurit i infektuar me Covid-19, është i rëndësishëm. Shumë njerëz mund të kenë ankth nga sëmundja, procedurat e hospitalizimit ose edhe çrregullime psikiatrike bashkëshoqëruese, të cilat duhet të vlerësohen dhe të marrin trajtimin e duhur. Trupi asnjëherë nuk është pa trurin, askund.

A keni pasur ju përvojë me pacientë që e kanë kaluar infeksionin dhe nëse po, çfarë keni konstatuar sa i përket shëndetit mendor?

Kam pasur raste të trajtimit të pacientëve, të cilët kanë qenë të infektuar me Covid-19 dhe mund të them se, ashtu siç edhe rrjedha e infektimit ka dallime të mëdha, edhe gjendja e shëndetit mendor ka pasur dallime të tilla. Disa që e kanë kaluar më lehtë, iu ka ngelur një sasi ankthi, pasigurie, stresi, dëshpërimi, por janë ndier të lehtësuar pastaj. Ka pasur edhe raste që kanë pasur edhe përjetime delirante, kur truri i tyre nuk ka mundur të furnizohet aq sa duhet me oksigjen nga vështirësitë në frymëmarrje. Nuk mund të konstatojmë ndonjë përgjigje të veçantë ose tabllo nga aq sa kam mundur të konstatoj.

Si e shikoni raportimin që po i bën media situatës së Covid-19? Cili është ndikimi te ata që mund të preken rishtas nga virusi?

Mediat kanë defekte në raportimin sidomos të lidhura me çështjet e shëndetit mendor dhe vetëvrasjen dhe këtë e kam konstatuar edhe në një studim të mëhershëm. Po ashtu, sensacionalizmi dhe lajmet e paverifikuara nuk janë të rralla edhe në raportimet mbi situatën e Covid-19. Padyshim, kjo ka sjellë stres dhe pasiguri shtesë në këtë gjendje pandemie. Nga hulumtimet është vërejtur se niveli i ankthit dhe depresionit disa herë ka rezultuar më i lartë sinjifikativisht te gjeneratat e reja dhe kjo lë të kuptohet se ata kanë përdorim më të lartë të mediave dhe internetit dhe po ashtu edhe më pak informacione të verifikuara dhe filtruara, të cilat e kanë rritur përgjigjen e tyre anksiozo-depresive.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy