
Kreu i Autoritetit të Konkurrencës Denar Biba foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi abuzimin në tregun e fruta-perimeve.
Biba vuri në dukje se ka indicie, apo ka një ndjesi për abuzim me çmimet, por duhet pritur kryqëzimi i të dhënave për të dalë në përfundime.
Biba theksoi se një hallkë problematike është grumbulluesi, ku nuk shpërndahen fatura tatimorë, apo plotësohen vet faturat. Biba tha se ankesa ka edhe për tregun e telefonisë celulare.
"Ky vazhdon të jetë një keqkuptim historik. Ne çmimet i kemi vetëm një nga indiciet e punës sonë, dhe kur janë tepër të larta, ose lëvizin menjëherë, mund të jenë një rast i një abuzimi potencial. Ne e kemi nisur ketë hetim në 14.06, për arsye të sekretit hetimor s’e kemi bërë publike dhe në media ka dalë vetëm dje. Dje kanë qenë në inspektim sërish inspektorët e Autoritetit. Kemi marrë një numër të madh të dhënash që do t’i përpunojmë. Indicie ka. Na rezulton një hallkë problematike grumbulluesi. Është një personazh shumë i rëndësishëm për bujkun dhe blegtorin. S’shpërndajnë kupona tatimor, i mbushin vet faturat, shfrytëzojnë padijen e bujkut dhe blegtorit. Kemi ndjesinë që ka një lloj abuzimi me çmimet. Lajmi do vijë pas disa kohësh kur të kryqëzojmë të dhënat. Ne na vijnë ankesa vazhdimisht për tregun e telefonisë celulare, janë vetëm dy operatorë. Fenomeni është rajonal. Anglia nga 4 operatorë, shkoi në 3. Disa tregje te ne kanë konkurrencë efektive. Tregjet me risk të lartë, si telefonia celulare, vazhdojnë të jenë në monitorimin e Autoritetit të Konkurrencës. Por disa tregje të rëndësishme kanë edhe rregullatorë sektorial, në këtë rast është AKEP-i. Nuk arrijmë të evidentojmë koston përkatëse. Struktura jonë tatimore lë hapësira për evazion. Në momentin që ka evazion është e vështirë të mbyllim qarkun, që nis që nga dogana. Çedojnë të gjitha hallkat, të gjithat kanë nevojë për përmirësime. Besoj se jemi në fazën e një kapitalizmi të egër aktualisht në Shqipëri, dhe gap-i që është krijuar mes të pasurve dhe të varfërve. Unë shoh që institucionet po forcohen”.



