Aktivisti i Lëvizjes Bashkë Klodi Leka tha në Mcn Live se hetimet lidhur me rritjen e çmimit të biletës së transportit urban në Kamëz duhet të shtrihen te bashkia dhe Këshilli Bashkiak.
Leka theksoi se administratori i kompanisë “Shpresa.al” është njëherazi anëtar i Këshillit Bashkiak që ka votuar për rritjen e çmimit të biletës, çka përbën konflikt interesi. Po ashtu aktivisti shprehet se mbledhja e Këshillit Bashkiak ka qenë okulte, e pabazuar në një raport financiar, dhe kundër interesit të qytetarëve.
“Beteja s’ka ndaluar, kemi organizuar protestë, kemi bërë peticion, kemi dalë në rrugë për të ndërgjegjësuar qytetarët e Kamzës dhe për t’u bashkëorganizuar me ta. Fakti që Autoriteti i Konkurrencës reagoi dje ku thoshte se rritja e çmimit të biletës është e pajustifikueshme, nuk ka një analizë financiare të kostove dhe fitimit dhe është kryer në kushtet e monopolit, vjen prej faktit që përfaqësuesi ynë parlamentar Redi Muçi i ka përdorur të gjitha mjetet, u ka dërguar letra, kërkesa, Autoritetit të Konkurrencës, MF, Prefekturës, dhe kërkesa e tij mesa duket ka vënë në lëvizje institucionet.
E kanë rritur shpejt e shpejt, sepse po të ishte planifikuar rritja e çmimit të biletës, këta do kishin një raport dhe nuk janë lodhur fare të gjejnë justifikime, thjesht janë mbledhur në mënyrë okulte. Vetëm dy këshilltarë bashkiakë kanë votuar kundër! Kemi mbledhur rreth 2 mijë nënshkrime në një kohë rekord, peticionin e kemi dërguar në institucione dhe presim një përgjigje zyrtare.
Pas njoftimit të Autoritetit të Konkurrencës, ne mendojmë se s’mjafton hetimi i kompanisë, por duhet të ketë hetime edhe për Këshillin Bashkiak. Administratori i Shpresa-al është pjesë e Këshillit Bashkiak dhe është konflikt i hapur interesi. Duhet të shtrihet hetimi drejt Bashkisë së Kamzës dhe Këshillit Bashkiak, si ka mundësi janë bërë bashkë në një mbledhje okulte kundër interesit qytetar”.
I pyetur a kemi të bëjmë me skemë për interesa të biznesit, Leka u shpreh: “Është nënshtrim i institucioneve shtetërore kundrejt kompanisë”. Ai shton se nuk është përmirësuar shërbimi i transportit publik, ku gjendja vazhdon të jetë njësoj dhe madje më keq.



