Situata në kantierin e aeroportit është tensionuar sërish mëngjesin e kësaj të marte, pasi hyrja kryesore është bllokuar nga kamionë të kompanisë 2A Group, duke penguar aksesin e nënkontraktorëve të angazhuar nga MABCO.
Sipas informacioneve paraprake, bllokimi i portës kryesore synon të ndalojë vijimin e punimeve nga grupet e kontraktuara prej MABCO-s, në kuadër të mosmarrëveshjes që vijon prej kohësh mes dy kompanive për administrimin dhe ecurinë e projektit.
Burime nga terreni bëjnë me dije se në momentet e para të incidentit, disa nënkontraktorë të MABCO-s kanë arritur të futen në kantier, por më pas hyrja është mbyllur sërish. Aktualisht, porta kryesore vijon të mbetet e bllokuar nga dy kamionë të vendosur në hyrje.
Përplasja mes palëve po ndikon drejtpërdrejt në vazhdimin e punimeve për aeroportin, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar dhe ende nuk ka një zgjidhje të qartë për konfliktin mes kompanive.



