Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hedhur për konsultim publik projektvendimin për përcaktimin e çmimeve dhe tarifave për dhënien në shfrytëzim/përdorim të fondit pyjor kombëtar, për veprimtari ekonomike, si dhe për prodhimet drusore dhe jo drusore pyjore.
Në relacionin shpjegues janë vendosur çmimet dhe tarifat për veprimtaritë që zhvillohen në fondin pyjor kombëtar si dhe çmimet për dhënien në shfrytëzim/përdorim të fondit pyjor kombëtar apo shpërblimet për dëmet e shkaktuara në fondin pyjor nga shfrytëzimi/përdorimi i tij.
Për shitjen e lëndës drusore në këmbë, lëndë punimi dhe dru zjarri për njësi/m3 dhe materialit drusor të asortuar, që shitet në anë të rrugës me ankand, çmimi i shitjes përcaktohet sipas tregut por jo nën çmimin e kostos së prodhimit e cila llogaritet sipas tarifave të kësaj shtojce.
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, shfuqizohen tarifat për fondin pyjor kombëtar të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave në qershor 2006 “Për përcaktimin e tarifave në sektorin e pyjeve dhe të kullotave”, i ndryshuar.



