
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë dënon me forcë sulmin kundër banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala, duke nënvizuar se përsërisim mbështetjen tonë më të fortë për gazetarët në vijën e frontit të raportimit mbi krimin e organizuar në Shqipëri.
Me anë të një postimi në “Twitter”, zyra e delegacionit të BE-së thotë se fton autoritetet shqiptare që të hetojnë plotësisht dhe menjëherë rastin.
“Dënojmë sulmin kundër gazetarit investigative Klodiana Lala dhe përsërisim mbështetjen tonë më të fortë për gazetarët në vijën e frontit të raportimit mbi krimin e organizuar në Shqipëri. Ne ftojmë autoritetet që të hetojnë plotësisht dhe menjëherë ngjarjen”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.
Më parë ishte ambasada e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë që reagoi për ngjarjen e rëndë dhe dënoi sulmin me armë ndaj shtëpisë së prindërve të gazetares së kronikës, Klodiana Lala.
Përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare në rrjetin social "Facebook", ambasada thotë se dënon me forcë sulmin ndaj gazetares dhe familjes së saj.
Amabasada nxit autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim terësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Ambasada e SHBA-së vlerëson Klodiana Lalën, si gazetarja që ka luajtur një rol të rëndësishëm në reformën e drejtësisë, çështjet e gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Si gazetare, Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj – sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë”, thuhet në reagimn i ambasadës amerikane në Tiranë.




