
Janë parë si alternativa e shëndetshme e sheqerit. Por ëmbëlsuesit mund të bëjnë efektin e kundërt të asaj që mendohet. Ata mund të bëjnë që personat që i konsumojnë të shtojnë peshë. Ky është konkluzioni i përmbledhjes së studimeve mbi këtë temë, i botuar nga Universiteti i Australisë së Jugut në revistën “Current Atherosclerosis Reports”.
Në mesin e hulumtimeve të analizuara, kujton Peter Clifton, autori kryesor i analizës, është ai i kryer në Shtetet e Bashkuara me mbi 5 mijë njerëz të ndjekur për shtatë vjet dhe monitorimi i të cilëve del se ata që përdornin shumë ëmbëlsues kishin marrë më shumë peshë se të tjerët.
"Konsumatorët e këtyre produkteve në të vërtetë nuk e zvogëlojnë konsumimin e përgjithshëm të sheqernave. Ata mund të binden se mund të shijojnë kështu ushqimet e tyre të preferuara. Përveç kësaj, ëmbëstuesit ndryshojnë florën bakteriale të zorrëve, dhe kjo mund të lidhet me shtimin në peshë dhe një rrezik më të madh të diabetit tip 2", thotë ai.
Hulumtime të tjera, shton eksperti, e kanë lidhur përdorimin e ëmbëlsuesve me një rrezik të shtuar të sëmundjeve të caktuara, nga sëmundjet kardiovaskulare deri te demenca, megjithëse mekanizmi është i paqartë. "Një zgjedhje më e mirë - përfundon Clifton - sesa përdorimi i ëmbëlsuesve është të ndjekësh një dietë të shëndetshme".



