Xhufi: S’po ulet përdorimi i duhanit, por mosha e duhanpirësve. Dollenberg: Varësia psikologjike më e fortë se nikotina

Xhufi: S’po ulet përdorimi i duhanit, por mosha e duhanpirësve. Dollenberg: Varësia psikologjike më e fortë se nikotina

Tetë vite pas hyrjes në fuqi të ndalimit me ligj të pirjes së duhanit në ambientet e mbyllura publike, ekspertët vlerësojnë se Shqipëria vijon të përballet me sfida serioze në kontrollin e konsumit të duhanit. 

 

Të ftuara në emisionin ‘MCN Economy’, mjekja toksikologe Suela Xhufi dhe mjekja shqiptare që ushtron profesionin në Gjermani, Aurora Dollenberg, ngritën alarmin për uljen e moshës së përdoruesve të duhanit dhe pasojat afatgjata që ai sjell për shëndetin fizik dhe psikologjik.

 

Sipas toksikologes Suela Xhufi, tendenca nuk është drejt uljes së konsumit, por përkundrazi drejt shtimit të tij dhe përfshirjes së moshave gjithnjë e më të vogla.

 

Nuk shoh ulje të përdorimit të duhanit, por vetëm rritje. Ajo që ka ndryshuar është mosha e duhanpirësve. Nëse dikur rastet fillonin rreth moshës 11-vjeçare, sot kemi edhe fëmijë 9-vjeçarë që konsumojnë produkte me nikotinë. Po ashtu, nëse më parë duhanpirja ishte më e përhapur tek meshkujt, sot edhe gratë janë po aq të ekspozuara. Në nivel global, rreth 7 milionë persona humbin jetën çdo vit si pasojë e duhanit.

 

Ajo theksoi se lënia e duhanit kërkon mbi të gjitha vullnetin e vetë pacientit, ndërsa ekzistojnë disa metoda që ndihmojnë në trajtimin e varësisë.

 

Pacienti duhet ta kërkojë vetë ndërprerjen e duhanit. Ka pak persona që paraqiten me dëshirën për ta lënë. Një nga metodat që përdorim është terapia me lazer, e cila ul dëshirën për të konsumuar duhan dhe krijon neveri ndaj tij. Krahas saj përdoren edhe terapi medikamentoze apo ulja graduale e konsumit. Nikotina është një stimulant shumë i fuqishëm që krijon varësi duke vepruar në receptorët e trurit, ndaj trajtimi duhet të jetë i kombinuar edhe me aktivitet fizik, si sporti, boksi apo vrapi, të cilat ndihmojnë në uljen e dëshirës për të pirë duhan.

 

Mjekja toksikologe kujtoi se cigaret përmbajnë dhjetëra substanca kancerogjene dhe mbeten një nga shkaktarët kryesorë të sëmundjeve kronike.

 

Një cigare përmban rreth 70 substanca kancerogjene. Duhani është një vrasës i heshtur dhe shkaktari kryesor i shumë sëmundjeve kronike. Edhe pse po studiohet përdorimi i nikotinës në forma të kontrolluara për disa sëmundje neurologjike apo fibrotike, këto janë ende në faza kërkimore dhe nuk justifikojnë konsumimin e duhanit. Shqetësuese është edhe përhapja e cigareve elektronike tek fëmijët. Shumë prej tyre nisin përdorimin në moshën 11-vjeçare dhe më pas kalojnë tek substanca të tjera narkotike. Cigaret elektronike nuk janë më pak të dëmshme dhe mund të shkaktojnë dëmtime serioze pulmonare.

 

Nga ana tjetër, mjekja Aurora Dollenberg tha se edhe në Gjermani duhanpirja mbetet një problem i madh shëndetësor, pavarësisht masave ligjore të ndërmarra ndër vite.

 

Edhe në Gjermani duhanpirja është një vrasës i fshehur kronik. Në praktikën tonë të përditshme shohim pasojat në mushkëri, por edhe rritjen e ankthit, stresit, sulmeve të panikut dhe çrregullimeve të frymëmarrjes. Kur këto bashkohen me duhanpirjen, dëmtimet në mushkëri dhe në sistemin kockor bëhen edhe më të mëdha. Duhani nuk dëmton vetëm organizmin, por edhe shëndetin mendor dhe emocional.

 

Sipas saj, sfida më e madhe nuk është vetëm varësia nga nikotina, por lidhja psikologjike që krijohet me aktin e pirjes së duhanit.

 

Nikotina është një drogë e lehtë, por varësia psikologjike është shumë më e fortë. Shumë njerëz e lidhin cigaren me socializimin, pushimin apo identitetin e tyre. Edhe pse lexojnë çdo ditë paralajmërimin se duhani vret, vazhdojnë ta konsumojnë. Kjo tregon se kemi të bëjmë me një sjellje të rrënjosur dhe jo vetëm me një varësi fizike. Shpesh njerëzit e zëvendësojnë cigaren me sheqer apo zakone të tjera, por sfida mbetet ndryshimi i sjelljes.

 

Dollenberg solli në vëmendje edhe modelin gjerman të kontrollit të konsumit të duhanit, duke theksuar se ende ka mangësi në zbatim.

 

Në Gjermani nuk lejohet shitja e duhanit për personat nën 18 vjeç dhe kërkohet karta e identitetit për blerjen e tij. Gjithashtu ekzistojnë kufizime për konsumimin në ambiente publike. Megjithatë edhe ne kemi ende deficit në kontrollin e duhanpirjes, ndaj marrim si model vende si Australia. Do të isha pro që edhe Shqipëria të forconte më tej ndalimin e duhanit në ambientet publike, sidomos për të mbrojtur brezat e rinj dhe për të rritur ndërgjegjësimin, jo për të diskriminuar duhanpirësit.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy