
Kosova siguron edhe medaljen e dytë të artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Është xhudistja Nora Gjakova e cial arriti suksesin që e lakmojnë edhe superfuqitë botërore të sportit. Ajo ka fituar medaljen e artë në kategorinë deri 57 kilogramë.
Nora në finale e mposhti francezen Sarah Leonie Cysique. Deri te finalja i kishte tri fitore. Ishte bartëse e tretë, por shkoi deri në fund.
Nora nisi me fitore ndaj Sanne Verhagen të Holandës. Vazhdoi me fitore ndaj sllovenes Kaja Kajzer.
Në gjysmëfinale arriti fitoren ndaj kundërshtares më të fortë të mundshme, japonezes Tsukasa Yoshida.

Dhe me triumf në finale siguroi tjetër titull për Kosovën. Vetëm Japonia është më e suksesshme se Kosova në garën e xhudos në këtë Olimpiadë.
Kjo është medalje e dytë e artë e Kosovës në “Tokyo 2020”, ndërsa medalja e tretë në dy paraqitjet në Lojërat Olimpike, pas atyre të Rio-s në vitin 2016.
Të shtunën, në ditën e parë të Lojërave në Tokio, titull olimpik kishte fituar Distria Krasniqi në kategorinë deri 48 kilogramë. Dhe tani Kosova i ka tri medalje të arta olimpike, falë ekipit të xhudos, të vogël në numër por të madh me vepra.



