
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.
Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.
Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së.
Votimi është i fshehtë. Shqipëria është vendi i vetëm që nuk ka qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit.
Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione.
Vendi ynë paraqitet në këto zgjedhje si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore dhe e mbështet këtë kandidaturë në 5 prioritetet kryesore:
-Respektimi i të drejtave të gruas, si kontribut për paqe dhe siguri të qëndrueshme;
-Respektimi i të drejtave të njeriut dhe i ligjit ndërkombëtar;
-Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit;
-Ndryshimet e klimës dhe lidhjet e tyre me rreziqet ndaj sigurisë globale;
-Metodat e punës të Këshillit të Sigurimit
Duke qenë kandidaturë e vetme Shqipëria ecën e sigurt drejt zgjedhjes dhe marrjes së konfirmimit, kur i duhen 2/3 e votave të vendeve anëtare.



