Javën e ardhshme në Prishtinë pritet mbërritja e Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi. Pas heqjes së reciprocitetit nga qeveria “Hoti”, pala serbe është shprehur e gatshme për rinisjen e dialogut.
Një ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, deklaroi se dialogun me Serbinë do ta udhëheqë ai në bazë të kompetencave kushtetuese. Në një prezantim të platformës së dialogut me Serbinë në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hoti tha se integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm.
Megjithatë, duket se presidenti Thaçi nuk do të qëndrojë në hije. Në një deklaratë për mediat sot pas homazheve në sheshin “Nënë Tereza” me rastin e 21-vjetorit të çlirimit të Prishtinës, Thaçi tha se Kushtetuta i përcakton qartë kompetencat e presidentit dhe në tryezën e dialogut përfaqësuesit legjitimë do të plotësojnë njëri-tjetrin.
“Do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të qytetarëve të Kosovës, nuk jemi në garë me njëri-tjetrin. Do e plotësojmë njëri-tjetrin të bashkuar. Do të përballemi me vështirësi e pengesa të mjaftueshme, prandaj do të ketë energji pozitive, përkushtim të përbashkët dhe rezultate të përbashkëta. Nuk jemi në garë me njëri-tjetrin. Presidenti i vendit e përfaqson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, gjithçka është e përcaktuar në Kushtetutë dhe asnjë organ nuk qëndron mbi Kushtetutën. Autoritetet dhe kompetencat janë të qarta dhe të pastra si loti”, u shpreh Thaçi.



