Një sulm ajror izraelit ndaj një shtëpie në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, shkaktoi vdekjen e të paktën nëntë personave, gjashtë prej të cilëve fëmijë, thanë autoritetet shëndetësore të shtunën, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën në Gazë.
Në Rafah strehohet më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës prej rreth 2.3 milionë banorësh, shumica të zhvendosur nga luftimet në pjesë të tjera të territorit.
Të shtunën, një sulm ajror izraelit goditi një shtëpi në kampin e refugjatëve Bureji në Gazën qendrore, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur dy të tjerë, sipas autoriteteve të shëntesësisë.
Megjithë thirrjet për përmbajtje nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë nga aleati i tij më i vendosur, Shtetet e Bashkuara Izraeli ka këmbëngulur për muaj të tërë se synon të ndërmarrë një ofensivë tokësore në Rafah, ku thotë se janë strehuar shumë nga militantët e mbetur të Hamasit.
Lufta filloi kur Hamasi ndërmori sulmin e paprecedentë të 7 tetorit në jug të Izraelit, duke shkaktuar vdekjen e rreth 1200 vetëve, shumica dërrmuese e të cilëve civilë.
250 persona u rrëmbyen dhe u dërguan në Gazë. Izraeli thotë se rreth 130 pengje vazhdojnë të jenë atje, megjithëse më shumë se 30 kanë vdekur.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve palestinezë nga lufta është të paktën 34,049 dhe numri i të plagosurve është 76,901, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza.



