
Besimtarët katolikë në mbarë botën festojnë sot Pashkët, ditën e ringjalljes së Krishtit një nga ngjarjet më të rëndësishme në kalendarin fetar.
Festimet e Pashkës nisin me meshën e madhe të së shtunës mbrëma që mbahet në të gjitha kishat katolike dhe përfundojnë me drekën tradicionale të së dielës.
Meshën në Katedralen e Shën Palit e drejtoi Arqipeshkvi Mitropolit, Imzot Arjan Dodaj, i cili uroi besimtarët dhe kërkoi angazhimin e të gjitha strukturave shtetërore, sociale e mediatike për tu vënë në shërbim të një horizonti më me shpresë për të rinjtë.
Shumë qytetarë iu drejtuan katedraleve dhe kishave në qytetet ku jetojnë për të kremtuar festën e shenjtë.
Ndërsa sot është dreka e Pashkës. Në tryezën e besimtarëve nuk mungon buka e Pashkës dhe vezët me ngjyrë të kuqe, simboli i ngjalljes së Krishtit dhe ripërtëritjes, të cilët më parë janë dërguar në Katedralen Katolike për tu bekuar.
Për festën e Pashkës, besimtarët shkëmbejnë dhe thyejnë vezët e lyera me ngjyrë të kuqe, simboli i jetës e më pas urojnë njëri-tjetrin për këtë ditë të shënuar.
Rama uron besimtarët katolikë: Me zemër të mirë Pashkët
Kryeministri Edi Rama uroi të gjithë besimtarët katolikë: Gëzuar Pashkët!
Mirëmëngjes me një urim të veçantë, për shumë vjet me zemër të mirë Pashkët.
Begaj uron Pashkën: Le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar të gjithë besimtarët katolikë për Festën e Pashkës.
Për shumë mot Pashkën, të dashur besimtarë katolikë e ungjillorë! Në këtë ditë të bekuar, le të gëzojmë e të festojmë të gjithë së bashku me besim dhe shpresë te Zoti për një të nesërme më të mirë. Gëzuar, dhe qoftë për të gjithë Pashkë e Shenjtë!



