Ai sot është 71 vjeç, në formë të mirë dhe tip që parapëlqen vetminë. Nëse do të hipte në një tren apo metro, askush nuk do ta ngrinte kokën. Por nëse një djalosh udhëtar në të tilla linja do të nxirrte një kub Rubiku për të luajtur me të, të gjithë udhëtarët do të linin për një cast smartfonët për të parë nëse e zgjidh dot.
Burri 71-vjeçar është në fakt “babai” i kubit të Rubikut. Në vitin 1974, Erno Rubik ishte profesor arkitekture në Akademinë e Arteve në Budapest, Hungari. Në vjeshtën e atij viti, një ditë shiu në breg të Danubit, ai po kërkonte një ide me të cilën t’u shpjegonte studentëve të vet lëvizjen tredimensionale dhe u frymëzua pikërisht nga lëvizja e ujit përreth gurëve.
U mbyll në apartamentin e tij për tre javë. Për prototipin përdori dru, llastiqe dhe copa letre. Ndërsa për t’u dhënë kuptim rrotullimeve të kubit zgjodhi ngjyrat bazë.
Sot kubi i Rubikut është loja më e shitur në botë, me rreth 1 miliardë copë pa llogaritur versionet e falsifikuara. Në një pjesë të Evropës është objekti më i përdorur i viteve ’80.
Madje për zgjidhjen e tij ka një kampionat të mirëfilltë që mbahet në vende të ndryshme.
Profesori vijon të jetojë në Budapest, bashkë me të shoqen. Ai bën një jetë të tërhequr dhe të vetmit vizitorë që pret janë katër vajzat e tij. / Corriere della Sera /



