Në Gjykatën e Lartë gjatë ditës së sotme pritet që në dhomë këshillimi të merret vendim lidhur me procedurat e tenderit të uniformave blu, ku janë të përfshirë dhjetë zyrtarë të Ministrisë së Brendshme.
Vendimi do të përcaktojë nëse do të ketë shtyrje për të pandehurit, të cilët janë akuzuar për parregullsi gjatë procedurave të këtij tenderi.
Në një intervistë në studion e MCN Live, avokati Romeo Kara theksoi rëndësinë e transparencës dhe luftën kundër shmangies së konkurrencës.
Shmangia e konkurrencës është ajo që shpërbën tenderin. Hetimi duhet të fillojë që nga çantat e bashkëshorteve të tyre, udhëtimet, pushimet, makinat dhe apartamentet. Kush merret me tendera duhet të justifikojë çdo pasuri dhe mënyrën si është përvetësuar.
Sipas Kara, problemet nuk qëndrojnë vetëm tek procedurat e brendshme, por edhe tek vlerësimi i fondeve dhe çmimeve.
Tenderët kanë problematikë me çmimet, të cilat shpesh janë të listuara në botë, ndërsa ne vendosim fonde limite që tejkalojnë arsyen. Në këtë tender është goditur çmimi, dhe kjo ndodh në radhët e Ministrisë së Rendit dhe Policisë.
Ai gjithashtu shtoi se presioni publik është i domosdoshëm për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri
Paraja të tundon, vetëm transparenca e mban aty. Shumë institucione nuk japin përgjigje lidhur me transparencën, por presioni konstruktiv ndihmon që paligjshmëria të mos kalojë në heshtje.



