
Trembëdhjetë persona janë shoqëruar në polici në lidhje me grabitjen e mbrëmshme, ku mbeti i vrarë 52-vjeçari Agim Buçi. Drejtoria e Policisë së Tiranës ka vendosur një shpërblim prej 500 mijë lekësh të reja për këdo që jep informacione që çojnë në identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Dëshmitar i ngjarjes së rëndë ka qenë edhe djali i bashkëshortëve që kanë në pronësi marketin ku ndodhi ngjarja e rëndë.
Agim Buçi u vra, ndërsa e shoqja, Merita Buçi, u plagos gjatë një grabitjeje të kryer mbrëmë në marketin e tyre në rrugën OSBE, në Kamëz.
Dy persona me maska janë futur me armë në market duke kërkuar të marrin paratë e xhiros mbrëmjen e të mërkurës. Por rezistenca e çiftit dhe përpleshja me grabitësit ka përfunduar në përdorimin e armëve prej agresorëve.
52-vjeçari u qëllua me armë në gjoks dhe ndërroi jetë në spital pak minuta pas ngjarjes. Ndërsa bashkëshortja e tij është plagosur në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.



