
Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka dëshmuar te Krimet e Rënda para prokurorëve belgë për 3.4 milionë eurot e gjetura në “Toyota Yaris”, vitin e shkuar në portin e Durrësit.
Përreth 90 minuta, Basha dha sqarime para federalëve belgë, ndërsa për median tha se ka dhënë informacione të plota.
"Dëshmia është dhe do të mbetet në kuadër të rregullave të drejtësisë shqiptare dhe atyre belge. Dhashë informacione të plota, më shumë se ato që kam dhënë në publik", tha Basha për mediat.
Kreu i PD-së shtoi se koncensionet dhe projektet e qeverisë janë skemë e pastër e pastrimit të parave.
"Pastrimi i parave të drogës është kthyer në një problem për vendin dhe stabilitetin e tij. Qeveria e Ramës dhe vetë Rama janë kthyer në shërbëtorë dhe përfitues të parave të drogës dhe krimit. Gjithçka që po kryhet sot, gjithçka bëhet për të pastruar paratë e krimit dhe drogës. Objektivi kryesor i Ramës është që përmes bashkëpunimit me krimin e organizuar të akumulojë sa më shumë pushtet e para", tha ai.
Basha renditi disa koncesione dhe projekte si: Milot-Balldren, Unaza e Re, stadiumi, Teatri, të cilat, sipas tij, janë skema të pastra të pastrimit të parave të pista.



