Gazetari Xhevahir Zhabina duke folur në MCN Live mbi 14 urdhër-arrestet te Bankers Petroleum, tha që hetimet duhet të zgjerohen. Sipas Zhabinës Bankersi s’mund ta ketë bërë i vetëm skemën, por mund të jenë përfshirë biznesmenë, biznese dhe kompani që ushtrojnë aktivitetin në fushën e naftës. Megjithatë Zhabina dyshon se do të kemi një hetim serioz, duke shtuar se aksioni duket si show. Gazetari thotë se nëse kemi të bëjmë me një grup të strukturuar kriminal që ka funksionuar për 20 vite hetimi duhet t’i kishte kaluar SPAK-ut.
“Është niveli më i lartë, kemi të bëjmë me arrestimin e CEO-s dhe ish-CEO-s. Urdhër-arrestet e tjera janë të një niveli më të ulët. Kemi të bëjmë me shmangie detyrimesh dhe evazion fiskal, që ka vazhduar për vite. Ka qenë një aksion pompoz, sepse rrallë herë kemi parë që Policia e Shtetit të ndërhyjë në këtë mënyrë.
Shpresoj që këtë radhë hetimi të jetë serioz, pasi kemi parë që hetimet e nisura në vite për atë që ka ndodhur në Patos-Marinzë kanë pushuar dhe Bankersi ka vazhduar i pashqetësuar. Një evazion fiskal që vazhdon 20 e kusur vite. Janë sekuestruar disa servera të kompanisë për ta faktuar evazionin fiskal ndër vite nga Bankersi, sepse bëhet fjalë për qindra miliona dollarë. Kam përshtypjen që provat kanë qenë aty ndër vite, se s’besoj të ketë prova të reja përveç atyre të artikuluar ndër vite nga gazetarët investigativë, ekspertët e ekonomisë.
Bankersi s’mund ta bëjë këtë skemë vetëm. Duhet të zgjerohen hetimet. Nëse Bankersi fryn shpenzimet e tij, kush janë biznesmenët që ia kanë mundësuar. Të duhet një faturë për ta shfryrë të gjithë këtë gjë. Përveç institucionet janë edhe biznese, kompani, që ushtrojnë aktivitetin në fushën e naftës. Nëse hetimi do jetë serioz dhe gjithëpërfshirës, duhet të përfshijë këtë pjesë. Por në krye të skemës është Bankersi, sepse është e interesuara e para. Nëse do kemi hetim serioz, që unë e dyshoj shumë edhe këtë radhë...
Nga mënyra si ka ndodhur, që ka më shumë polici dhe hetim tatimor, më duket pak show. Edhe sikur të jetë e kundërta, do jetë shumë mirë që këtë radhë të kemi një hetim serioz. E para duhet të fillojë shumë vite më parë, për të parë dëmin në buxhetin e shtetit dhe paratë që mungojnë të merren nga kjo kompani dhe t’i kthehen shtetit shqiptar
Nga mënyra si argumenton Prokuroria të bën përshtypjen se kemi të bëjmë me një grup strukturuar kriminal, që ka funksionuar për 20 vite, dhe duhet t’i kishte kaluar SPAK-ut ky hetim që të ishte më i suksesshëm”.



