Në Francë bilancet e koronavirusit janë tepër të larta këto ditë, një fakt që ka sjellë edhe masa të reja shtrënguese. Mbi 10 mijë rastet e reja me COVID-19 në 24 orët e fundit kanë bërë që në Marsejë dhe Aix-en-Provence baret dhe restorantet të mbyllen për të paktën 15 ditë.
Në 11 qytete të tjera franceze përfshirë Parisin, Lionin, Tuluzën dhe Bordo-n nga sot baret do mbyllen pas orës 22:00 dhe pijet alkoolike janë të ndaluara.
Me këto ritme dhe nëse gjërat nuk ndryshojnë atëherë rrezikohet seriozisht që sistemi francez i shëndetësisë të futet në kolaps.
"Nëse asgjë nuk ndryshon, Franca do të përballet me një sistem shëndetësor të paaftë për t'iu përgjigjur të gjitha kërkesave", - paralajmëroi Patrick Bouet , presidenti i Këshillit Kombëtar të Urdhrit të mjekëve, i cili u shpreh gjithashtu se "Vala e dytë erdhi më shpejt sesa mendonim”.
Në këto kushte qeveria franceze ka menduar për një plan të ri, me qëllim që spitalet të menaxhojnë më mirë të prekurit me koronavirus. Si pasojë është vendosur që operacionet jo të domosdoshme të shtyhen, me qëllim që të lirohen objektet shëndetësore në tre zonë kryesore të Francës.



