
Dita e sotme shënon skadimin e ultimatumit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, në lidhje me heqjen e taksës 100 për qind mbi mallrat serbe dhe boshnjake.
Qeveria e Kosovës është e vendosur në mbajtjen e taksës, deri në momentin që Serbia ta njohë si shtet, ndërkohë pala serbe e kushtëzon vijimin e bisedimeve mes dy vendeve me heqjen e kësaj takes.
Zyrtarë të lartë të shtetit në Kosovë, të cituar në mediat vendase, shprehen se nuk do të ketë asnjë hap pas.
Tri javë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi reciprocitet ndaj Kosovës nëse nuk tërheq mbrapsht tarifën doganore. Vuçiç është shprehur se, nëse taksa ndaj mallrave serbe nuk hiqet deri më 6 maj, do të mbahet një seancë speciale e Komitetit Kryesor të SNS, në të cilën do të merren masa kundër Prishtinës.
Taksa 100% mbi mallrat serbe dhe boshnjake u vendos nga qeveria e Kosovës 6 muaj më parë.
Ajo ishte një nga temat e diskutuara edhe në Samitin e Berlinit javën e kaluar, por kryeministri Haradinaj dhe kabineti i tij vijojnë të ngulin këmbë në njohjen e Kosovës nga Beogradi si kusht për heqjen e taksës.



