
Në nismë të sezonit të ri parlamentar, përmes një mesazhi drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti Bajram Begaj, i bëri thirrje partive politike të angazhohen në një dialog të frytshëm dhe në nisma ligjore të bazuara në shqetësimet e qytetarëve.
Begaj ftoi deputetët të fokusohen në anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian, si dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Kreu i Shtetit thekson se deputetët duhet të përmbushin në kohë masat ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit.
Gjithashtu, një tjetër çështje prioritare, sipas Presidentit të Republikës, është lufta kundër krimit dhe korrupsionit, për të cilën Kreu i Shtetit u shpreh se inkurajon Kuvendin të promovojë politikën e antikrimit dhe antikorrupsionit si një përballje reale me një të keqe që duhet ta luftojmë në çdo nivel e çdo fushë të këtij fenomeni gërryes për ekonominë dhe kërcënues për demokracinë.
Mesazhi i presidentit
Sesioni i ri parlamentar hapet sot në një kohë që do ta cilësoja shpresash e pritshmërish.
Ne shqiptarët kemi treguar se dimë të arrijmë rezultate kur duam dhe kur bëhemi bashkë. Plotësimi i kuadrit ligjor për mundësimin e votës së Diasporës në zgjedhjet e ardhshme është një gur kilometrik dhe dëshmi e vullnetit dhe e përgjegjësisë sonë të përbashkët.Ndërkohë, mandati parlamentar po shkon drejt fundit dhe momenti për të peshuar arritjet e sukseset, mangësitë dhe dështimet, për të vlerësuar vetveten, por edhe për t’u vlerësuar nga publiku, po afron.
Në këtë shtator të ri, imazhi dhe performanca parlamentare janë sa të dëshiruara, aq edhe të domosdoshme që Kuvendi ynë të jetë arena frymëzuese e përballjes qytetare, ku zëra të ndryshëm përfshihen në një dialog të frytshëm.
Rrugëtimi i vendit tonë drejt konsolidimit të demokracisë ka qenë sfidues.Megjithatë, në vigjiljen e 112-vjetorit të shtetit shqiptar dhe të 33-vjetorit të pluralizmit, çështja e dialogut politik në vend dhe në këtë hapësirë të shenjtë të demokracisë duhet të mbetet prioritet. Duhet këtu, në këtë Kuvend, të ngjizet e të lulëzojë si pasqyrë e rritjes sonë të përbashkët dialogu qytetar e demokratik mes forcave politike, mendimeve e qëndrimeve të ndryshme.
Të nderuar deputetë,
Kalendari i reformave integruese është i ngjeshur dhe detyrat para nesh janë të mëdha e kërkojnë përkushtim të vazhdueshëm. Kuvendi duhet t’i përqendrojë përpjekjet e tij legjislative në objektivin tonë kryesor kombëtar: anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kjo kërkon përmbushjen në kohë të masave ligjore të përfshira në Planin Kombëtar të Integrimit Evropian. Përtej tij, e bashkë me këtë plan, ka një seri iniciativash të tjera që duhet të hulumtohen e të trajtohen nga komisionet parlamentare e pastaj nga vetë Kuvendi. Në këtë kuadër, sjell në vëmendjen tuaj mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe nevojën për përmirësimin e legjislacionit ekzistues.
Më lejoni të theksoj se nismat legjislative duhet të bazohen në shqetësimet reale të qytetarëve tanë dhe në sektorë të ndryshëm, si: ekonomia, shëndetësia, drejtësia, arsimi, mjedisi dhe drejtësia sociale midis të tjerave.
Hapa konkrete ligjore duhen ndërmarrë në rregullimin e përdorimit të inteligjencës artificiale, në mënyrë që qytetarët tanë të jenë sa të mbrojtur, aq dhe të mbështetur në përdorimin e saj.
Ligje të tjera presin përmirësim dhe, në këtë drejtim, vigjilenca dhe kontrolli parlamentar duhet të jenë në nivelin më të lartë. Ne duhet të sigurojmë që çdo ligj që miratohet të jetë në përputhje me interesat e qytetarëve dhe me standardet më të larta demokratike. Për këtë kërkohet angazhim i përbashkët dhe përpjekje të vazhdueshme për të siguruar që Kuvendi të jetë gjithmonë i përkushtuar dhe të përmbushë rolin e tij mbikëqyrës, të garantojë balancën e pushteteve, si dhe të mbrojë interesat e popullit. Është një moment që kërkon maturi, profesionalizëm, atdhedashuri dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie ndaj qytetarëve tanë.



