Ish-zëvendësministër i Mjedisit, Taulant Bino, flet për zgjatjen me 5 vite të moratoriumin e gjuetisë dhe impaktin që do të ketë në faunën e egër.
Bino e cilëson moratoriumin e fundit si zgjatim të dy moratoriumeve të para, duke u shprehur kundër tij, pasi thotë se moratoriumi e pati efektin vetëm në vitin 2014-2015 dhe në sajë të të ashtuquajturës gjueti sportive, të ushtruar kryesisht nga shtetas të huaj.
Duke folur për MCN Tv, ai tha se ajo që sillte në Shqipëri gjuetia sportive, ishte gjysma e dëmit, ku 160 mijë shpendë vriteshin kryesisht në zonat bregdetare dhe se asokohe u shpëtuan plot shpendë.
Institucionet u përgjumën nga moratoriumi, nuk kryen inventarizimin e faunës që duhet të jetë objekt gjuetie. Shpërbënë inspektimet mbi dëmet mbi faunën e egër. Për shkak të këtij moratoriumi, institucionet humbën kapacitetet zbatuese përgjegjëse. Më shumë kemi humbur se sa kemi fituar. Ka një gabim që nuk di nëse është rastësor apo i qëllimshëm. Sa herë flitet për moratorium, flitet për suksesin në zonat e mbrojtura, por ato kanë qenë gjithmonë subjekt i moratoriumit. Por suksesi duhet matur në zonat rurale dhe malore. Një pjesë e mirë e njerëzve janë frikësuar, por moratoriumi nuk ndaloi ata gjuetarë të paligjshëm, që e përdorën moratoriumin për tregti të kafshëve të egra. Jemi kundër gjuetisë turistike pasi është dëmprurëse. Shteti duhet të ushtrojë kontroll mbi aktivitetin e gjuetisë. Çdo lloj gjuetie zhvillohet si e paligjshme. Shteti nuk ka kontroll mbi territorin. Më e ndershme është të lejohej gjuetia me rregulla dhe të përballeshin me problemin se sa një fshehje e problemit.
Lidhur me censusin mbi shpendët e egër, ai tha se ka pasur 60 mijë shpendë të ujit në vitin 2014 dhe 140 mijë në 2021, por nënvizoi se nuk matet moratoriumi me një shifër sot dhe një kur t’iu teket.
Situata shihet stabël, por jo rritje. Censusi nuk i referohet zonave të mbrojtura, por kryhet kryesisht në zonat e mbrojtura. Duhet inventarizim i dedikuar për shpendët e mbrojtura. Për të folur për suksesin e moratoriumit, duhet të flasësh për kafshët që janë subjekt gjuetie.



