Studentët e mjekësisë, prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm po zhvillojnë një protestë para Parlamentit, ku kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Evis Kushi, pas deklaratës së kësaj të fundit se ligji për punën e detyrueshme, do të miratohet dhe për këtë ata nuk do të pyeten. Protesta para parlamentit ka nisur me fjalime në kundërshtim me projektligjin, ndrësa kanë paralajmëruar ta çojnë çështjen në gjykatën kushtetuese. Një studentë, paralajmëroi po ashtu bojkot të vitit akademik nëse qeveria nuk tërhiqet nga ky projektligj. “Kemi nja një muaj që protestojmë, por kjo nuk do të thotë se do të ndalemi sot. Jua kemi thënë dhe në komision, edhe në intervista, edhe në protesta, edhe në statuse, edhe në forumin e mjekëve që ne do e çojmë në Gjykatë Kushtetuese çështjen. Jua kemi thënë dhe këtë tjetrën, po ato firma, ku të dorëzohet që këta studentë do të bojkotojnë vitin akademik. Anuloni ligjin, zero kompromis! Duhet të sqarojmë se zgjedhja jonë e parë nuk është për të ikur, sepse nuk është zgjedhje të ikësh nga Shqipëria dhe të lësh familjen, shokët, jetën pas por kjo është e vetmja zgjidhje që na ngelet sepse në vendin tonë nuk trajtohemi me dinjitet, politika minimumi nuk na dëgjon. Jemi kundër projektligjit. Nqs do ishim pjesë e seancës planuare sot do ripërsërisnim të gjitha ato që kemi thënë deri tani” Qeveria ka ndërmarrë një nismë ligjore me të cilën thotë se ka qëllim plotësimin sa më parë të nevojave për mjekë që ka vendi si dhe në sigurimin e ofrimit te shërbimit shëndetësor për periudhat ne vijim. Sipas pr/ligjit studentëve aplikantë në Mjekësi, por dhe ata që janë në vijim të studimeve u ofrohet mundësia të firmosë një marrëveshje në bazë të së cilës ata duhet të punojnë në spitalet shqiptare për një periudhë 2 - 5 vjeçare pas diplomimit. Nëse ata pranojnë ta firmosin marrëveshjen do të përjashtohen nga tarifat e shkollimit gjatë gjithë studimit gjithashtu do të kenë dhe disa përfitime të tjera sociale.



