Partia Demokratike ripërsërit qëndrimin e saj kundër aministisë fiskale. Me anë të një deklarate nga selia blu, ish-deputetja Jorida Tabaku tha se ky ligj mund ta kthejë vendin në parajsë të krimit financiar ndërkombëtar. Tabaku theksoi se ky ligj duhet të tërhiqet pasi do të thellojë përplasjen e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.
“Me ligjin e amnistisë fiskale, kryeministri në ikje po e thellon kursin e tij të përplasjes me partnerët strategjikë SHBA dhe Bashkimin Europian dhe po godet interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve për llogari të krimit të organizuar dhe pushtetit të tij personal. Projekti i kryeministrit në ikje për aministinë fiskale e kthen vendin në parajsën e krimit financiar ndërkombëtar dhe madje në vendstrehim për persona që financojnë aktivitete terroriste”, tha Tabaku.
Ish-deputetja demokrate tha se me anë të këtij ligji, çdo i huaj që ka një biznes në Shqipëri mund të deklarojë dhe të ligjërojë paratë e tij pa u pyetur për burimin e tyre, ndërsa legalizon pasuritë e gjithë anëtarëve të organizatave kriminale brenda dhe jashtë vendit.
“Ata fshihen pas pretendimit se po ndihmohen gjoja emigrantët, por në fakt do të pastrojnë paratë përmes akteve kriminale të kësaj qeverie në ikje. Emigrantët shqiptarë që jetojnë me sakrifica dhe punë të ndershme nuk përfitojnë nga ky ligj, sepse ai nuk po bëhet për emigrantët, por për trafikantët ndërkombëtarë të drogës”, tha Tabaku.
Gjithashtu, sipas selisë blu, amnistia fiskale favorizon politikanët dhe një numër të lartë zyrtarësh.
“Mjafton që i afërmi i një politikani të mos jetë në certifikatën e tij familjare dhe për pasurinë e tij eventualisht të paligjshme, bëhet mburojë amnistia fiskale, e propozuar nga kryeministri në ikje. Qeveria nuk duhet të luajë me zjarrin dhe ta shndërrojë vendin në lavatriçe të parave të krimit të organizuar dhe terrorizmit”, tha Tabaku.



