Fundi i vonuar i Berishës

Fundi i vonuar i Berishës

Sonte na u dha një lajm i madh, një lajm i rëndësishëm. Ndoshta më i rëndësishmi që pas rënies së komunizmit. Ju shkon mendja se është zbuluar ndonjëvendburim nafte në Shqipëri? Apo, ju shkon mendja se Shqipëria krejt papritur ështëbërë anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian? Jo. Nuk është fjala për lajme të tilla. Është fjala për një lajm edhe më të rëndësishëm: Sali Berisha, tok me familjen e tij, janë shpallur persona“nongrata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “It’slong overdue,” do të thoshin vetë amerikanët. Do të duhej të kishte ndodhur më herët. Po ndodh shumë vonë. Do të duhej të kishte ndodhur në vitin 1993, kur Sali Berisha, i cili sapo kishte mbërritur në pushtet, urdhëroi arrestimin e liderit të opozitës shqiptare. Do të duhej të kishte ndodhur në vitin 1996, kur ai, në krye të një regjimi që e kishte instaluar tanimë (regjimi kishte marrë trajtë të plotë) urdhëroi rrahjen dhe dhunimin e deputetëve të opozitës shqiptare, në prani të gazetarëve vendas e të huaj, faqe botës, përballë kamerave televizive. Kjo do të duhej të kishte ndodhur, në raste të tjera, edhe pak më vonë. Por më mirë vonë sesa kurrë. Kjo është një shprehje që unë nuk e kam pëlqyer asnjëherë, sepse kam menduar që më mirë gjërat të bëhen në kohën e duhur, sesa vonë. Por këtë herë është një shprehje që më pëlqen. Është një shprehje së cilës, më në fund, i jap kuptim. Më mirë vonë sesa kurrë!

Dy fjalë për Berishën, meqë jemi te ky argument. Sali Berisha nuk është një politikan i thjeshtë. Nuk është një udhëheqës i thjeshtë politik. Ai është një frymë. Ka qenë një frymë e ligë që ka kutërbuar për tridhjetë vjet historinë e këtij vendi dhe këtë vend, gjithashtu. Nuk është se ai ka qenë thjesht një njeri i korruptuar. Është shumë më keq sesa kaq. Është shumë më shumë sesa kaq. Ai ka qenë një njeri që edhe pse ishte i korruptuar, s’e kishte për gjë ta fuste vendin në luftë duke tundur flamurin e anti-korrupsionit. Ai nuk është se ka qenë thjesht një njeri që abuzonte me pushtetin. Ai ka qenë një njeri që edhe pse abuzonte me pushtetin, edhe pse nuk la abuzim pa bërë, ai nuk do ta kishte për gjë (dhe ka dhënë prova konkrete) ta hidhte vendin në luftë civile, në emër të luftës kundër atyre që abuzojnë me pushtetin.

Ai nuk është se ka qenë thjesht një manipulator votimesh dhe zgjedhjesh. Ai e ka shpikur këtë gjë. Ai na e ka sjellë dhuratë këtë flamë, qëështë futur tanimë në praktikën elektorale dhe politike të Shqipërisë. Ajo ekziston edhe sot e kësaj dite: bëhet vjedhje votash dhe vjedhje zgjedhjesh. E megjithatë, ai s’e ka për gjë ta bëjë tym e flakë këtë vend në mbrojtje të votës së lirë.

Ai nuk është se ka qenë thjesht një urdhërues vrasjesh, siç mund të mendojë dikush. E gjithë retorika e tij ka qenë retorika e një vrasësi. Edhe sikur të mos ketë bërë asnjë vrasje, ai ka folur gjatë gjithë kohës për vrasje e për vdekje. Ai s’e ka pasur për gjë t’i etiketojë si vrasës të gjithë ata që ka pasur përballë tij. Ai fliste për vdekjen me një ton të shpenguar që ne vdekatarët e tjerë e përdorim kur bisedojmë për seksin, për muzikën, për sportin, për gjëra të kësaj natyre.

Ai ishte  njeriu që i është drejtuar liderit të opozitës e ka nxjerrë nga goja fjalët: “Nëse ti e provon edhe një herë të bësh një manifestim të dytë si ai që bërë në 21 janar (është fjala për 21 janarin), atëherë do të jem unë personalisht (tha Berisha atë mot) që do të ndëshkoj siç ndëshkohet një horr.” Janë fjalë që të ngjethin mishin. Mua edhe sot mërrëqethin. Por këtij njeriu nuk i erdhi turp që i tha ato fjalë, që bëri atë deklaratë. Atij nuk i erdhi turp as më vonë. Nuk është penduar kurrë. Sa herë që ka pasur rastin t’i rikthehet atij momenti (nëpër studiot televizive), ai ka thënë të njëjtën gjë. Në një moment, bëri një saktësim interesant, të stilit të tij. Ai tha se: “Nëse gardistët nuk do të shtinin mbi Edi Ramën, nëse Edi Rama do të tentonte të bënte një manifestim të dytë, do të isha unë vet që do të tërhiqja këmbëzën.” E tmerrshme!!! Dhe është për të ardhur keq që reagimi i shoqërisë shqiptare, i elitës shqiptare ka qenë një reagim mizerabël, një reagim i turpshëm. Shoqëria shqiptare nuk ka gjetur motivin për t’u bërë bashkë kundër këtij njeriu në rrethana të tilla, por edhe në rrethana të tjera të ngjashme me këto.

Ai ka qenë njeriu që nuk ka lënë gjë pa bërë. Dhe kjo edhe për të keqen e opozitës, frenat e së cilës nuk do t’i lëshojë. Edhe për të keqen e kësaj opozite që insiston të identifikohet me Berishën. Dhe kur flas për të keqën e opozitës, kam parasysh se ai këtë opozitë (duke qenë se ai nuk ka lënë gjë pa bërë, dhe duke qenë se e ka në dorë vet) e ka lënë pa asnjë kauzë. Ështëopozitë pa kauzë. Sepse çdo betejë kundër prapësive që ndodhin në këtë vend është një betejë që s’ka kuptim për ata, pasi i kanë bërë vet të gjitha gjërat.

Ky është fundi i Sali Berishës. Ai do të rezistojë. Ai do të përpëlitet. Kjo është e sigurt. Ai do të reagojë. Dhe në fakt, e filloi që sot reagimin e vet. Filloi me një qurravitje ndaj Departamentit të Shtetit, ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një qurravitje e vonuar, që nuk ka për t’i ecur. Nesër, në javët e në muajt në vijim, ai do të kthejë pllakën. Nuk do të qurravitet më. Do të përdorë një gjuhë tjetër. Do të flasë për një konspiracion a përbetim ndërkombëtar, për një mafie ndërkombëtare, që është në shërbim të dyshes Rama – Vuçiç. Ai do ta përdorë Partinë e vet Demokratike (“e vet” në kuptimin literal të saj; nuk është metaforë) si një shqyt, parzmore, si një pancir për t’u mbrojtur. Dhe me shumë gjasa, po të jetë nevoja, do ta shndërrojë atë në një forcë politike anti-perëndimore, në një lloj Hamasi të Shqipërisë. Ai mund të bëjë edhe gjëra që neve nuk na shkojnë në mendje, por aní, ky është fundi i tij, gjithsesi. Fundi i tij i merituar!

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy