Gazetari Klodian Tomorri, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi anikimin e bërë sot nga Arben Ahmetaj në Apelin e GJKKO lidhur me kontrollin e ushtruar nga oficerët e BKH në banesën e bashkëjetueses së tij. Tomorri tha se nëse gjykata do ta interpretojë si vendbanim të Ahmetajt banesën e bashkëjetueses, kontrolli del i jashtëligjshëm, pasi ka një nen që s’lejon që banesa e deputetit të kontrollohet pa autorizim nga Kuvendi.
Tomorri tha se deklaratat e Ramës për drejtësinë i hapin rrugën aludimeve se Ahmetaj po goditet nga ajo që deri dje ishte familja e tij politike, si dhe pronarët e inceneratorëve. Duke u ndalur te kjo aferë, Tomorri ngre pyetjen se nëse “truri” i skemës kanë qenë Koka, Bllako dhe Ahmetaj kush vazhdon ta mbajë ende këtë skemë në këmbë.
Ka disa pretendime nga ish-zv.kryeministri për këtë kontroll, pasi sipas tij kemi të bëjmë me kontroll të paligjshëm, pasi ka një nen që banesa e një deputeti s’mund të kryhet pa marrë më parë autorizimin nga Kuvendi. Ajo është banesa e bashkëjetueses. Gjykata do të duhet të interpretojë a do të quhet ky vendbanim i zv.kryeministrit. Nëse banesa do të quhet vendbanim i ish-zv.kryeministrit automatikisht vendimi i gjykatës dhe kontrolli del i jashtëligjshëm. Sa herë që një kryeministër flet për çështje drejtësie, e para cenohet pavarësia e gjyqësorit, e dyta hidhen aludime. Janë deklarata që hapin rrugë për spekulime. Ne i kemi paguar shtrenjtë deklarimet e kryeministrave për çështjet gjyqësore. Deklaratat e Ramës u kanë lënë vend aludimeve se ndoshta z.Ahmetaj po goditet nga segmentet më të larta të mazhorancës së PS. Arsyet ne nuk i dimë. Në gjithë këtë histori ka një paradoks. Ahmetaj është akuzuar nga opozita si ‘truri’ i aferës së inceneratorëve. Ndërsa sot Ahmetaj po sulmohet nga pronarët e incneneratorëve, media që paguhen nga inceneratorët, dhe nga vet familja e tij politike. Ai ka deklaruar se faturat s’janë autentike. Duke pretenduar që mund të jenë të falsifikuara, por këto janë çështje që i verifikon Prokuroria. Përtej kësaj, ajo që unë shoh si problem në gjithë këtë sagë ka qenë presioni i vazhdueshëm që është bërë ndaj Prokurorisë. Kanë arritur deri aty sa prokurorët janë akuzuar për fshehje dhe manipulim provash. Është një proces që duket se ka shumë interesa të nëndheshme dhe ka shumë aktorë që lëvizin fijet underground”.
I pyetur nëse “e duan me patjetër kokën e Ahmetajt para drejtësisë”, Tomorri tha: “Kjo është përshtypja që të krijohet. . Ai vuri në dukje paradoksin e madh të kësaj historie, që biznesi i inceneratorëve ende vazhdon.
Ka edhe një paradoks tjetër në këtë histori. Sulmohet një ish-anëtar i qeverisë, janë në burg dy ish-anëtarë të tjerë të qeverisë për çështjen e inceneratorëve, por ndërkohë biznesi i inceneratorëve vazhdon. Këtu qëndron paradoksi më i madh. Nëse “koka” dhe “truri” i skemës kanë qenë Koka, Bllako, Ahmetaj, kush e mban në këmbë skemën e inceneratorëve?! Kush vazhdon i paguan miliona euro koncesionarit?! Pavarësisht se një nga pronarët, një shtetas Italian, që figuron me letra pronar 30 për qind i kompanisë koncensionare, është shpallur në kërkim nga SPK. Këta duhet të ndajnë mendjen nëse kjo është histori korrupsioni, nuk mund të vazhdohet më të paguhet më para për një kompani….Justifikimi është që ‘ne kemi frikë nga Arbitrazhi. Por kur kanë dashur këta s’kanë pasur frikë as nga Arbitrazhi. Në rastin e kontratave të faktuara si korruptive s’ka Arbitrazh që të dënon, pasi kanë hyrë zyrtarë në burg, janë zyrtarë të tjerë nën hetim, apo pronarët e kompanisë nën hetim”.
Sa i takon hetimeve të SPAK për privatizimin e bazave detare dhe përgjegjësinë e ministres Xhaçka, Tomorri bën këtë koment:
Znj. Xhaçka ka qenë ministre e Mbrojtjes në kohën kur është bërë kontrata e qirasë së bazës së Sarandës. Kontrata e qirasë afatgjate. Çështja është kallëzuar në SPAK. SPAK ka arritur në konkluzionin privatizimi i bazës detare, dhënia e bashkimi i kompanive private Dulaku dhe Kastrati group, ka cenuar sigurinë kombëtare, ka cenuar operacionalitetin e Forcës Detare, që më fjalë të thjeshta do të thotë ka cenuar mbrojtjen kombëtare të vendit. Duke qenë se është interes madhor, sigurisht gjykata e ka caktuar si të drejtë përfundimin e SPAK dhe ka vendosur të pezullojë, duke e vendosur bazën në siguri preventive. Cilat janë shkeljet? Kjo është vetëm pjesa e parë e procesit, më vonë do vazhdojë hetimi procedurial. Cilat janë shkeljet e pretenduara, apo të dyshuara, është fakti që ka një ligj që thotë që pronat e ushtrisë s’mund të privatizohen pa u nxjerrë më parë nga plani i përhapjes së ushtrisë. Që të dalë nga plani i përhapjes duhet të firmoset nga Presidenti. Në kohën kur ka ndodhur kjo histori President ka qenë Ilir Meta. Me sa duket mazhoranca në atë kohë s’ishte në ujëra të ngrohta me Metën, i cili s’ka dashur ta firmosë. Ka pasur edhe nga vet Forcat Detare kundërshtim për dhënien e kësaj baze detare te private. Pavarësisht se ishin këto kundërshtime, se Presidenti s’e ka firmosur nxjerrjen e pronës nga plani i përhapjes së ushtrisë, qeveria ka gjetur mekanizma ekstra ligjore për ta dhënë bazën te private. Znj. Xhaçka si ministre e Mbrojtjes është një nga aktorët kryesorë në çështjen e bazës së Sarandës”.



