Avokati Ervin Karanxha, për hetimet lidhur me dosjen “AKSHI” të cilat tregojnë një lidhje të hershme mes Ermal Beqirit, Ergys Agasit dhe anëtarëve të Komisioneve të Vlerësimit të Ofertave, Suela Ago dhe Arjola Koromani, thotë se provohet konflikti i interesit.
Nga studio e “MCN Live”, ai deklaroi se për shkak të lidhjeve mes Beqirit dhe Agos dhe Koromanit, dy anëtaret e KVO duhet të dorëhiqeshin, pasi në të kundërt krijohet bindja se tenderi është i përcaktuar.
Sipas tij, kjo është hera e parë në 35 vite që për një strukturë të administratës shtetërore ngrihet akuzë për grup të strukturuar kriminal.
Që të jesh te Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhet parë a i plotëson kriteret, gjithçka duhet provuar dhe nëse kanë lidhje me Universitetin Kristal. Kemi konflikt interesi të pastër, SPAK duhet të verifikojë. Duhet të verifikohet nëse janë ofruar shërbimet nga kompania.
Se është bërë një tender, janë marrë përsipër shërbimet. Ermal Beqiri i ka bërë këto punë? Ne konstatojmë konflikt interesi. Se në bazë të ligjit për konflikt interesi, duhet të jepej dorëheqje nga këto anëtare. Këtu të krijohet bindja se tenderi është i përcaktuar. Do jetë objekt hetimi nëse është ofruar shërbimi apo jo dhe sipas kushteve të kontratës.
Konstatohet që në emër të sekretit shtetëror është abuzuar se nuk ke ofruar asnjë lloj shërbimi. Tenderi i çokollatave? Këtu Prokuroria duhet të bëjë një eksperiment hetimor, këta persona që kanë ngrënë kaq çokollata, a mund t’i hanin dot? Nuk mund t’i hash dot 10 milionë euro çokollata. Që këtu del që është tender fiktiv. SPAK ka ngritur një akuzë zyrtare që është grup i strukturuar kriminal.
Kjo është hera e parë në 35 vite që për një strukturë të administratës shtetërore ngrihet akuzë për grup të strukturuar kriminal. Kjo është diçka shumë e rëndë që një organ shtetëror funksionon si grup i strukturuar kriminal.
DSIK ka certifikuar si të pastër një grup të strukturuar kriminal, duke certifikuar ato dy gratë që i kanë marrë nga rruga. Këtu nuk ka rënë vetëm AKSHI, por të ka rënë dhe DSIK.



