
Ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti foli në edicionin e lajmeve në MCN TV lojën që sipas tij bëhet në dëm të prodhuesve vendas, si dhe mungesën e subvencioneve dhe orientimit nga shteti.
Panariti theksoi se duhet një bursë bujqësore ku të përcaktohen çmimet e referencës në bazë të ankandeve.
Është një dramë e vërtet për prodhimin vendas. Është të hedhësh në erë mundin, sakrificën që ai ka bërë. Problemi është kompleks, e para që çmimi i blerjes nga pikat e grumbullimit është diskriminues, nuk justifikon as vjeljen e transportin, nuk ia vlen barra qiranë. E para që pikat e grumbullimit e mbajnë çmimin e ulët, nuk janë bërë parakontrata dhe s’janë orientuar fermerët për sasinë e bostanit që duhej mbjellë. Duhet një treg i formalizuar dhe bursë bujqësore, ku të përcaktohet në bazë të ankandeve çmimet e referencës për një periudhë të caktuar. Kjo bëhen në dakordësi mes prodhuesve dhe grumbulluesve. Për sa kohë që s’kemi një mekanizëm të tillë, pikat e grumbullimit shfrytëzojnë këtë kaos dhe e mbajnë stekën e ulët. Kështu maksimalizojnë fitimin. Askush s’mund të luajë me çmimet e bursës. Për sa kohë nuk funksionon ky mekanizëm… Ka edhe mekanizma spekulativ. Një nga zgjidhjet është bursa bujqësore, si në Itali, Greqi, ku krijohet një mekanizëm balancues. Shteti ka në dorë të subvencionojë edhe çmimin e blerjes dhe të shitjes, duke aplikuar një masë të caktuar, që çmimi i blerjes të jetë atraktiv për prodhuesin. Shteti ndërhyn për të kundërbalancuar aspektin spekulativ. Shteti ta rikthejë rimbursimin e TVSH-së 20 për qind siç ka qenë. Këto janë këto tre rrugë nëse duam ta ndalojmë këtë katrahurë”.
Panariti tha se ka një apel që fermerët shqiptarë të orientohen drejt prodhimit të drithërave, ku një pjesë e kanë kuptuar këtë gjë dhe po përgatiten të mbjellin grurë. Panariti tha se nuk gjendemi në situatë të favorshme sa i takon konkurrencës me prodhimet e huaja, dhe shteti mund të ndërhyjë duke rishikuar taksat për importin.
Ne jemi importues neto të drithërave. Ne jemi poshtë 50 për qindshit të plotësimit të nevojave të drithit, të bukës. Kosova është 30 për qind. Të dyja vendet tona kanë defiçencë dhe detyrohen ta importojnë. Kemi një rritje të madhe të çmimit të drithërave. Apeli ka qenë i qartë të riorientohet edhe njëherë bujqësia drejt prodhimit të drithërave. Duhet që në fillim të shtatorit dhe fillim të tetorit, të merren masa, të joshen fermerët përmes subvencionimit për të kultivuar grurë. Një pjesë e kanë kuptuar. Po përgatiten që të mbjellin tokat me këtë kulturë. Ne nuk gjendemi në situatë të favorshme sa i takon konkurrencës me prodhimet e huaja. Ka instrumente të tjerë si rishikimi i taksave për importin për të njëjtat mallra. Në disa sektorë jemi rrudhur në mënyrë të tejskashme, ka dhënë prodhimi i qumështit, numri i krerëve. Qumështi i importit shitet më lirë se qumështi vendas. Pjesa e shit-blerjes është në dorën e disa sekserëve, që prishin pazaret dhe kontratat. Mund të paguhen nga një aktor i tretë që ta nxjerrë jashtë loje prodhimin shqiptar. Prandaj aplikohen çmime diskriminuese që të shesë ai tjetri. Pa u futur shteti me mekanizma rregullator, fiskal, me bursë, këto gjëra do të ndodhin”.



