Kreu i PD-së, Lulzim Basha, tha sot votimi i Metës për president tregon se protesta prej dy muajsh është e drejtë. Në fjalën e tij në ditën e 70-t të protestës, Basha tha se Rama dhe Meta e konsiderojnë vendin thjesht një plaçkë.
“Shumica e socialistëve sot ndihen të tradhtuar. Sot u provua se reformat që Rama i ka në majë të gjuhës janë veçse pjesë e teatrit që është luajtur prej vitesh. Për Ramën, Shqipëria është thjesht një plaçkë. Sot më shumë se çdo ditë tjetër, ta dini se edhe më skeptikët ndaj kësaj çadre e kuptojnë se ajo që ne kemi thënë prej ditës së parë është e vërteta dhe e drejta. Rama opozitën e do për alibi që të vazhdojë pazaret për të nxjerrë në treg gjithçka që ka ky vend. Sot shpaloset fare qartë para atyre të majtëve që besonin se Rama do të reformonte Shqipërinë. Dita e sotme konfirmon se këta konsiderojnë gjithçka plaçkë të tyre. Këtu është katandisur demokracia fasadë me kupolën e Edi Ramës dhe Ilir Metës. Postin e presidentin e shndërruan si një post me më pak kompetenca se ato të një drejtori poste në Vlorë”, tha ai.



