
Kryeministri i mandatuar Carlo Cottarelli ka shkuar këtë të mërkurë në Presidencë për një takim jozyrtar me kreun e Shtetit, Sergio Mattarella dhe më pas është kthyer në Palazzo Montecitorio për të vazhduar punën për formimin e qeverisë së re, raportojnë mediat italiane. Por, miratimi në parlament i kësaj qeverie do të haste në kundërshtimin e dy partive më të mëdha.
Synimi i shprehur i Matteo Salvinit që kryeson Lega-n dhe Luigi Di Maio, kryetar i “Lëvizjes 5 yjet” për të rifilluar formimin e një qeverie mes tyre duket se ka hedhur poshtë hipotezën e një ekzekutivi të përkohshëm deri në zgjedhjet e reja. Koalicioni duhet të vendosë nëse do të pranojë propozimin për të rifilluar temat e negociatave pas tërheqjes dhe ripërtëritjes së “gatishmërisë për të bashkëpunuar” të shprehur nga Di Maio, si dhe nëse Salvini do të heqë dorë nga emri i ministrit i Ekonomisë, i propozuar tek presidenti, Paolo Savona.
Por Salvini nuk tërhiqet. “Ky është apeli im: Sergio Mattarella do të na japë datën e votimit dhe italianët do të bëjnë drejtësi për atë që ka ndodhur”, tha kreu i Legës. “Shpresoj që t’i kthehemi votimit sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo në fund të korrikut, sepse ka festa”, shtoi kreu i Lega-s.
Gjatë natës negociatat mes Lëvizjes 5 Yjet dhe Lega-s janë rihapur. Në fund të një dite furtunë, me mundësinë e votimit më 29 korrik në horizont, hipoteza e një qeverie të gjelbër dhe të verdhë u shfaq papritur. Është udhëheqësi i “5 Yjeve”, Luigi Di Maio i cili nga Napoli propozon një bashkëpunim të ri me presidentin e Republikës, Sergio Mattarella, duke lënë mënjanë, pas 48 orësh, akuzat për tradhti dhe shkelje të kushtetutës.
Faktet thonë se “Lëvizja 5 Yjet” dhe FDI janë në bisedime për krijimin e një qeverie për të përforcuar shumicën. “Ka gatishmërinë tonë për të filluar përsëri aty ku kemi lënë, për të rihapur një kanal dialogu”, shpjegojnë burime nga 5 Yjet, pasi Meloni zyrtarisht tha se ishte e gatshme të forcojë mazhorancën “5 Yjet-Lega”.
Nëse nuk formohet kjo qeverie e re, opsioni tjetër është që Italia të futet menjëherë në votime. Trazirat që kanë përfshirë tregjet financiare dhe kërkesa për zgjedhje të parakohshme kanë kufizuar hapësirën e një qeverisje teknike me në krye Cottarelli-n. Ekonomisti 64-vjeçar mund të dorëzojë mandatin, duke iu dhënë një shans të fundit koalicionit “Lega dhe 5 Yjet” ose të përballet me një votë besimi në Parlament me një përfundim të parakohshëm, i cili zyrtarisht do të hapte nga fillimi çështjen. Ngërçi i Paolo Savona-s mbetet ende, por thashethemet parlamentare flasin për një hipotezë alternative për të krjuar qeverinë e koalicionit të drejtuar nga Carlo Cottarelli.



