
Komisioni Europian në projekt-raportin, sa i takon Shqipërisë, paralajmërohet se nismat për amnistinë fiskale dhe të ashtuquajturat “pasaporta të arta” rrezikojnë të bien ndesh me normat e Bashkimit evropian.
Lidhur me këtë në një komunikim me skype, me studion e lajmeve në MCN Tv, eksperti i tregjeve financiare Elvin Meka, deklaroi se prej gati dy vitesh jemi pjesë e listës gri për pastrimin e parave.
Ai tha se pavarësisht qëndrimit të FMN, qeveria është e vendosur për të ndërmarrë një nismë të tillë, ndërsa shtoi se kjo e fundit nuk është gati për amnistinë për shkak të mekanizmave të dobët institucional.
Nuk është lajm i ri, jemi prej dy vitesh pjesë e listës gri të pastrimit të parave dhe nuk arrijmë të dalim dhe kjo për faktin e disa dobësive institucionale dhe për një arsye apo tjetër institucionet do duhet të përmirësohen në punën e tyre. Qeveria është vendosur për ta ndërmarrë një nismë të tillë pavarësisht se e ka të qartë mos aprovimin e FMN. Megjithatë këto rekomandime nga FMN janë serioze dhe të vlefshme dhe nuk janë pa shkak, ne duhet të ndajmë çështjen procedurale me aspektin real të kryerjes së saj. Pra nuk duhet të jemi hermetik dhe ta shohim si tabu procesin e kryerjes së amnistisë fiskale e cila s’ka ndodhur asnjëherë në Shqipëri, por nga ana tjetër ndoshta FMN, shikojnë në rastin e Shqipërisë dobësinë kronike dhe të theksuar të institucioneve ose pafuqishmëria që institucionet kanë. Ajo do të bëjë atë ndryshimin e madh që pas mbylljes së kësaj amnistie kjo administratë do të jetë në gjendje dhe në formë për të marrë masa për të qenë e aftë që të mbledhë dukshëm më shumë të ardhura por për të qenë dhe më shumë efikase në parandalimin e rasteve të mundshme të financimit të terrorizmit dhe pastrimin parave. Fakti që ngelemi ende në këtë listë gri të manivalit tregon se FMN sheh një dobësim të mekanizmave institucionale.
Më tej ai thekson se Shqipëria nuk është as e para dhe as e fundit që tenton një amnisti, por sipas tij, problemi është që Shqipëria nuk krahasohet me vendet e tjera është profesionalizmi i administratës tatimore që të realizojë rezultate dukshëm më të mira pas kryerjes së amnistisë.
Kultura e të bërit biznes në Shqipëri, ai aspekti i korrupsionit që ekziston në institucionet tatimore për fat të keq, është frika e madhe që kanë institucionet ndërkombëtare dhe vetë historiku i ka lënë të kuptojnë këto institucione që do jetë e vështirë që pas mbylljes së amnistisë i gjithë procesi do ndryshojë për 24 orë. Duket e pabesueshme që sistemi tatimor të ndryshojë për 24 orë. Qeveria nuk është gati për amnistinë, mekanizmat institucional janë të dobët. Amnistia duhet të sjellë zhvillim ekonomik.



