
Pfizer dhe BioNTech kanë filluar një provë klinike për vaksinën kundër Omicron, njoftoi kompania në një deklaratë për shtyp të martën.
Studimi do të vlerësojë vaksinën për sigurinë, tolerueshmërinë dhe nivelin e përgjigjes imune, si një seri primare dhe një dozë përforcuese, në 1,420 të rritur të shëndetshëm të moshës 18 deri në 55 vjeç.
Studimi është i ndarë në tre grupe:
Pjesëmarrësit në grupin e parë kanë marrë dy doza të vaksinës aktuale Pfizer Covid-19 të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të marrin një ose dy doza të vaksinës së Omicron.
Pjesëmarrësit në grupin e dytë kanë marrë tre doza të vaksinës aktuale Pfizer Covid-19 të paktën 90 deri në 180 ditë përpara studimit. Ata do të marrin një dozë të vaksinës aktuale Pfizer Covid-19 ose vaksinës specifike të Omicron.
Pjesëmarrësit në grupin e tretë nuk kanë marrë asnjë vaksinë Covid-19. Ata do të marrin tre doza të vaksinës specifike të Omicron.
Vaksina për Omicron do të ndahet në një dozë prej 30 mikrogramësh, e njëjtë me vaksinën aktuale.
"Ndërsa kërkimet aktuale dhe të dhënat e botës reale tregojnë se përforcuesit vazhdojnë të ofrojnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital me Omicron, ne e kuptojmë nevojën për të qenë të përgatitur në rast se kjo mbrojtje zbehet me kalimin e kohës dhe për të ndihmuar potencialisht në mbajtjen nën kontroll të Omicron dhe variante të reja në të ardhmen”, tha në njoftim, nënkryetari i lartë i Pfizer dhe shefja e Kërkimit dhe Zhvillimit të Vaksinave, Kathrin Jansen.
CEO i Pfizer, Albert Bourla, tha muajin e kaluar se nëse nevojitet një vaksinë e re për variantin e koronavirusit Omicron, kompania do ta ketë një të tillë në mars. Megjithatë, një zëdhënës i Pfizer konfirmoi se kompania tashmë ka filluar prodhimin e kësaj vaksine.
Kompanitë theksuan gjithashtu se njerëzit që kanë marrë doza përforcuese të vaksinës aktuale "ruajnë një nivel të lartë mbrojtjeje kundër Omicron, veçanërisht kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimeve në spital".
Një studim i ri laboratorik tregoi që antitrupat kundër variantit të koronavirusit Omicron mbeten të fortë katër muaj pas një doze të tretë të vaksinës Pfizer/BioNTech.



